Trump: Këto zgjedhje nuk kanë mbaruar ende, vazhdon beteja ligjore

exit.al 7 Nëntor 2020, 18:58

Zyra për shtyp e fushatës së presidentit Trump ka lëshuar një deklaratë për shtyp menjëherë pasi disa prej mediave kryesore shpallën fitoren e kandidatit demokrat Joe Biden. “Ne të gjithë e dimë pse Joe Biden po nxiton të paraqitet në mënyrë të gabuar si fitues dhe pse aleatët e tij të medias po përpiqen kaq shumë ta ndihmojnë atë: ata nuk duan që e vërteta të zbulohet" shkruhet në deklaratë. "Fakti i thjeshtë është që këto zgjedhje nuk kanë mbaruar ende," vazhdon Trumpi, duke shkruar se numërimet e votave nuk janë vërtetuar ende nga zyrtarët e zgjedhjeve dhe mbeten thjeshtë parashikime nga mediat. Trumpi premton se "duke filluar nga e hëna, ekipi do të fillojë ndjekjen e çështjes në gjykatë për të siguruar që ligjet zgjedhore janë respektuar plotësisht". Trump pretendon, pa publikuar ndonjë provë, se ekipi i Bidenit "dëshiron që fletët e votimit të numërohen edhe nëse ato janë të paligjshme, të manipuluare ose të hedhura nga votues të vdekur". Ai premton të vazhdojnë luftën për numërim të ndershëm të votave:

“Pra, çfarë po fsheh Biden? Unë nuk do të pushoj derisa Populli Amerikan të ketë numërimin e ndershëm të votave që ai meriton dhe që demokracia kërkon".

Vëzhguesit e zgjedhjeve dhe zyrtarët që mbikëqyrin numërimin e votave kanë thënë vazhdimisht se nuk janë parë parregullsi të përhapura gjatë procesit. Sipas BBC-së, Trump ka qenë duke luajtur golf në vendpushimin e tij në Virxhinia, kur u njoh me lajmin se Joe Biden parashikohet të ketë fituar presidencën. Shpërndaje te miqtë