Lehtësia e padurueshme e dhunës: Kur forca zëvendëson politikën

Adri Nurellari 23 Nëntor 2026, 22:52

Lehtësia e padurueshme e dhunës: Kur forca zëvendëson

Këtë artikull e shkrova fillimisht në mes të tetorit, në ditët e para të përplasjeve. Hezitova ta botoja sepse nuk doja që kritika ime ndaj dhunës të merrej si mungesë solidariteti me të rinjtë që sapo ishin përballur me dhunë të ashpër e të pajustifikuar policore apo si përpjekje për të delegjitimuar revoltën e tyre.

Atëherë, heshta sepse e pashë më të rëndësishme të qëndroja në krah të tyre sesa të përpiqesha të shpjegoja pse dhuna është një mjet i gabuar proteste.

Por sot, kur po dëgjohen sërish zëra që paralajmërojnë rikthimin e përplasjeve më 28 Nëntor, heshtja do të ishte papërgjegjshmëri dhe miratim i një rruge pa krye.

I bindur te nevoja për ndryshim, ndiej detyrimin të them se dhuna nuk është mjet ndryshimi. Përkundrazi, ajo mund të kthehet në alibinë më të mirë që mund t'i jepet pushtetit për të diskredituar kauzën e drejtë të ndryshimit.

Mbi të gjitha, jam i shqetësuar nga lehtësia me të cilën po normalizohet dhuna në jetën politike shqiptare. Pamjet e molotovëve, gazit lotsjellës, të rinjve të gjakosur dhe dhunës policore po bëhen pjesë e zakonshme e konfliktit politik. Si pasojë, ajo që dikur do të ishte alarm i jashtëzakonshëm për funksionimin e demokracisë, sot rrezikon të trajtohet si një episod i pritshëm i përballjes mes qeverisë dhe protestuesve.

Fakti është se ne po mësohemi me shfaqjet e dhunës, duke humbur gradualisht ndjeshmërinë ndaj saj dhe besimin te zgjidhja paqësore e konflikteve.

Kjo lehtësi ushqehet veçanërisht nga një trashëgimi e gjatë autoritarizmi në marrëdhëniet tona shoqërore, ku dhuna e autoritetit (familjar e shoqëror) përligjet me shprehjen se “druri ka dalë nga xheneti”, përplasja shpesh zëvendëson diskutimin dhe mosmarrëveshja përfundon në hakërrim e kanosje.

Duke u shkëputur nga kjo trashëgimi, protesta e flamingove solli në hapësirën tonë publike një frymë tjetër kundërshtimi, të mbështetur te idealizmi, simbolika dhe pjesëmarrja qytetare. Ajo dëshmoi se pakënaqësia politike mund të shprehet përmes formave që bashkojnë njerëzit dhe krijojnë solidaritet shoqëror.

Në kontrast, sot, ndërsa vëmendja zhvendoset gjithnjë e më shumë te përplasjet fizike, ekziston rreziku që kjo përvojë të zbehet dhe protesta të identifikohet jo më me kauzën e drejtë që përfaqëson, por me intensitetin e konfliktit që prodhon.

Ky ngatërrim është i lehtë duke pasur parasysh se dhuna ka një aftësi të jashtëzakonshme për të pushtuar vëmendjen publike.

Një molotov që shpërthen, një polic që godet një protestues apo një i ri që përfundon i gjakosur prodhojnë pamje shumë më të fuqishme televizive sesa një argument politik apo një kërkesë për llogaridhënie.

Kështu, debati zhvendoset nga përmbajtja e protestës te incidentet që e shoqërojnë. Në vend që të diskutohet përse qytetarët kanë dalë në rrugë, diskutohet kush goditi i pari, kush reagoi më fort dhe kush duhet ndëshkuar.

Intensiteti i përplasjes fillon të ngatërrohet me efektivitetin politik. Ndërkohë, një protestë mund të bëhet më e zhurmshme dhe më dramatike, por njëkohësisht edhe më pak bindëse për qytetarët.

Një lëvizje qytetare mbështetet mbi dy kapitale themelore, numrat dhe legjitimitetin moral. Kur kalon nga protesta paqësore te përplasja fizike, ajo rrezikon t'i humbasë të dyja, duke hyrë pikërisht në terrenin ku shteti ka epërsi dërrmuese: armatimin, logjistikën, aparatin policor, burgjet dhe mjetet ligjore të shtrëngimit.

Nga ana tjetër, iluzioni romantik i përmbysjes së pushtetit me dhunë, i ushqyer nga mitet e revolucioneve historike, shpërfill gjithashtu faktin se prishja e paqes sociale mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata shoqërore, siç e provuam në Shqipëri me tragjedinë e vitit 1997, që la pas plagë, armiqësi dhe trauma politike e shoqërore, pasojat e të cilave ndihen ende sot.

Sepse, siç thoshte Gandi, nëse ndjekim logjikën “sy për sy”, në fund mbetemi të verbër që të dy.

Këtu qëndron një nga paradokset dramatike të radikalizimit. Një protestë që lind për të kundërshtuar arbitraritetin e pushtetit, përvetëson të njëjtën logjikë imponimi që synon të sfidojë.

Nëse qeveria mendon se mund t'i zgjidhë problemet politike me polici dhe nëse një pjesë e protestuesve beson se mund ta detyrojë qeverinë të largohet përmes përplasjes fizike, atëherë të dyja palët, megjithëse me përgjegjësi dhe pozita krejt të ndryshme institucionale, e reduktojnë politikën në demonstrim force.

Nuk dua të barazoj dhunën e protestuesve dhe dhunën e policisë: ato janë krejtësisht të ndryshme në kuptimin juridik, parimor dhe institucional. Nuk mund të kërkosh të njëjtin standard profesional vetëpërmbajtjeje si nga një i ri i zemëruar, ashtu edhe nga një polic profesionist, i trajnuar, i pajisur dhe i paguar nga taksat e qytetarëve pikërisht për të menaxhuar situata të tilla.

Përtej këtij dallimi thelbësor, çdo episod i dhunshëm rrezikon të bëhet shkak apo justifikim për episodin pasues. Një ndërhyrje e tepruar policore mund të prodhojë zemërim dhe solidaritet me të lënduarit; një reagim i dhunshëm i protestuesve mund të përdoret për të justifikuar masa më të ashpra policore; arrestimet mund të shtojnë ndjenjën e padrejtësisë, ndërsa përplasjet e reja mund të forcojnë bindjen se kompromisi është i pamundur.

Kështu krijohet një cikël vetëushqyes, ku secila palë e sheh veten si viktimë të agresionit të tjetrës dhe e konsideron reagimin e vet si mbrojtje të domosdoshme.

Rreziku bëhet i madh kur kjo dinamikë përfshin të rinj që deri dje nuk kishin pasur asnjë lidhje me dhunën apo veprimtarinë e paligjshme. Një brez që hyn në jetën publike përmes protestës së dhunshme mund të zhvillojë një marrëdhënie gjithnjë e më armiqësore me institucionet nëse përvoja e tij e parë politike shoqërohet vazhdimisht me përplasje, frikësim, kriminalizim të përgjithshëm dhe arrestime.

Për më tepër, radikalizimi mund të jetë politikisht i leverdishëm për një pushtet që kërkon ta zhvendosë debatin nga përgjegjësia e vet te frika nga destabilizimi.

Qytetarët që mund të bashkoheshin rreth nevojës për ndryshim fillojnë të ndahen sipas frikës nga kaosi dhe besnikërive të vjetra politike, duke u rikthyer në llogoret partiake që i ndajnë. Ndërsa partnerët ndërkombëtarë, të shqetësuar për stabilitetin, mund të bëhen edhe më të prirur të mbështesin vazhdimësinë e pushtetit si alternativë ndaj pasigurisë.

Në thelb, pasoja më shkatërruese e këtij modeli është asgjësimi gradual i hapësirës së argumentit. Kur pushteti mbështetet te demonstrimi i forcës policore për të administruar pakënaqësinë, ai dobëson besimin e qytetarit te mundësia e ndryshimit përmes institucioneve.

Por kur edhe revolta bie në kurthin e barrikadave, hapësira e debatit ngushtohet edhe më shumë. Flaka e molotovit nuk e ndërton argumentin, por faktikisht rrezikon ta djegë edhe atë.

Rrjedhimisht, në çastin kur në shesh flasin gurët dhe shkopinjtë, vëmendja zhvendoset nga pyetja se kush ka të drejtë te pyetja se kush do të zmbrapset i pari.

Në fund, lehtësia e padurueshme e dhunës qëndron pikërisht këtu, te tundimi për ta zëvendësuar punën e vështirë të bindjes me rrugën e shkurtër të imponimit.

Por një shoqëri që heq dorë nga forca e argumentit dhe i nënshtrohet argumentit të forcës, nuk po i zgjidh konfliktet e saj. Ajo thjesht po shkatërron mjetin më të qytetëruar që ka për t'i zgjidhur ato.

 

Shpërndaje te miqtë