"Në çfarë bote po jetojmë?" Për qeverinë studentët "duhen dëgjuar" kur flasin me Ramën, por gjobitur e dhunuar kur protestojnë kundër tij

Bledar M. Kurti 23 Nëntor 2026, 14:37

"Në çfarë bote po jetojmë?" Për

Kur kryeministri Rama njoftoi befas të shtunën se kishte takuar të rinjtë protestues, pa dhënë asnjë detaj tjetër, shumë pyetje u ngritën vetvetiu. Kë takoi? Cilët studentë protestues? Kush e organizoi takimin? Si u përzgjodhën? Çfarë u diskutua? Për çfarë u fol, për çfarë u ra dakord dhe për çfarë jo? Pse në mënyrë kaq sekrete? Çfarë kishte për të fshehur?

Përveç atyre që ishin në takim, një shumicë tjetër studentësh u distancua prej tij. Ata e kanë refuzuar dialogun me qeverinë, sepse mendojnë se takimet nuk ofrojnë garanci për ndryshime konkrete.

Kur pritej që disa nga pyetjet të merrnin përgjigje, të paktën ato që lidhen me çështjet e diskutuara, ato të dakordësuara dhe ato që do të vijonin të ridiskutoheshin, qeveria e fokusoi debatin tek ata që nuk ishin në takim.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro me një postim të gjatë në Facebook pyeti: "Në çfarë bote jetojmë?" Ajo ishte e revoltuar që takimi shkaktoi kaq shumë diskutime dhe që të rinjtë pjesëmarrës u sulmuan në rrjetet sociale nga shokët e tyre pse folën lirisht me kryeministrin.

Parimisht, ministrja ka të drejtë. Edhe pse kryeministri i prezantoi të rinjtë si "studentët protestues" pa asnjë sqarim tjetër, askush nuk duhet sulmuar për mendimin që shpreh lirisht dhe mënyrën se si zgjedh ta thotë atë.

Por më e drejtë do të ishte që parimi të shtrihej në praktikë njësoj për të gjithë studentët.

Problemi i parë është se ministrja, si kryeministri, i ndan studentët në të mirë dhe të këqij.

Kryeministri në qershor i ndante protestuesit në flamingo dhe sorra. Ministrja i ndan sot në ata që flasin në takim dhe ata që flasin në rrugë e në rrjetet sociale.

"Një shoqëri që i mëson të rinjtë të heshtin, është një shoqëri që rrezikon të humbasë të ardhmen e saj", shkruan Kumbaro. Dhe më tej: "Të rinjtë folën lirisht. Diskutuam. U dëgjuam."

Këto fjalë tingëllojnë si respektim i lirisë së shprehjes, respektim i mendimit kritik dhe i së drejtës për të mos qenë dakord me autoritetet. Por këtu lind pyetja që qeveria duhet t'ia bëjë vetes: kjo e drejtë vlen vetëm kur të rinjtë ulen në një takim me kryeministrin, apo edhe kur dalin në rrugë kundër tij?

Sepse vetëm pak javë më parë, kur studentët dhe gjimnazistët protestonin dhe ngrinin zërin, ata nuk u dëgjuan. Përkundrazi, u sulmuan në shesh, në media, dhe në rrjetet sociale nga kryeministri, ministrat dhe deputetët e mazhorancës.

Protesta është vetvetiu një formë dialogu me qeverinë. Është mënyra se si shprehen qytetarët kur nuk dëgjohen, kur kërkesat nuk marrin përgjigje, kur institucionet nuk japin zgjidhje.

Gjatë gjithë kohës që të rinjtë protestonin, kryeministri nuk iu përgjigj thelbit të problemeve të tyre. I cilësoi si të manipuluar nga rrjetet sociale dhe nga ideologjia e Antifa-s, si vegla të shërbimeve dhe duarve të huaja që nuk i duan të mirën vendit, si të politizuar nga opozita dhe të financuar nga krimi i organizuar.

Kryeministri madje doli dhe i sulmoi publikisht të rinjtë një nga një, duke i vendosur me emër dhe me foto në një monitor të madh si kriminelë me precedentë penalë, edhe pse shumë prej tyre ia rrëzuan akuzat.

Të rinjtë nuk mund të jenë të lirë vetëm kur flasin në një takim të organizuar nga institucionet. Nuk mund të jenë qytetarë të mirë vetëm kur bëjnë pyetje që qeveria është e gatshme t'u përgjigjet. Dhe nuk mund të konsiderohen "zëri i së ardhmes" vetëm kur thonë mendime që nuk e vënë qeverinë në pozitë të vështirë.

"Të rinjtë që kërkojnë më shumë të drejta, më shumë hapësira, më shumë mundësi dhe një të ardhme në vendin e tyre meritojnë të dëgjohen edhe kur protestojnë", shkruan ministrja Kumbaro.

Por a e përfshin fjalia "kur protestojnë" edhe të drejtën për të dalë në shesh? A i respekton qeveria dhe policia të drejtat e tyre?

Ministrja Kumbaro shkruan se bëhet akoma më e rrezikshme kur në shënjestër vihen të rinjtë, të cilëve shoqëria duhet t'u japë kurajë civile dhe t'u nxisë mendimin kritik, përballjen me argumente dhe dëshirën për debat.

Pikërisht këtë kërkojnë edhe të rinjtë që nuk ishin në takimin me kryeministrin dhe protestojnë: kurajën për të kundërshtuar, për të mos u pajtuar, për të kërkuar llogari dhe për të mos lejuar që e ardhmja e tyre të vendoset pa zërin e tyre.

Pa u ndëshkuar siç po ndodh sot.

Askush nuk justifikon dhunën, shkatërrimin e pronës apo sulmet ndaj policisë. Por edhe më e papranueshme është dhuna jo proporcionale dhe pa dallim e policisë ndaj protestuesve paqësorë. Veçanërisht ndaj të miturve.

Kjo dhunë vazhdon edhe sot, kur njerëzit dhe studentët dalin në protestë çdo pasdite përpara Kryeministrisë.

Ajo mbështetet nga kryeministri, që i ka veshur edhe mantelin ligjor, duke i dhënë policisë, përveç shkopit të gomës, edhe bllokun e gjobave kundër kujtdo që ngre zërin.

Vetëm gjatë javëve të fundit janë disa qindra studentë dhe të rinj të shoqëruar në komisariate, të proceduar penalisht dhe të gjobitur nga policia.

Sepse rinia nuk është vetëm ajo që shfaqet në takime për video të kuruara për Facebook, por edhe ajo që refuzon të jetë fasadë dhe del në rrugë, ngre pankarta, thërret slogane dhe kërkon ndryshim.

Nuk mund ta mbrosh lirinë e fjalës vetëm për ata që flasin me kryeministrin. Duhet ta mbrosh edhe për ata që flasin kundër tij.

Dhe nëse, siç thotë vetë ministrja Kumbaro, një shoqëri që i mëson të rinjtë të heshtin rrezikon të humbasë të ardhmen, kjo vlen për të gjithë të rinjtë: për ata që ulen përballë kryeministrit dhe për ata që dalin në shesh për të protestuar kundër tij.

Problemet janë aty, studentët i kanë ngritur në të gjitha format. Ata kërkojnë rrëzimin e një sistemi të kalcifikuar, i cili ua ka bërë arsimin dhe jetesën të pamundur në vendin e tyre dhe nuk u garanton të ardhmen në Shqipëri.

Takimet formale, por pa përmbajtje, nuk japin zgjidhje. Ato vetëm sa e vonojnë zgjidhjen.

Shpërndaje te miqtë