Ulsi Manja: 21 janari do zbardhet plotësisht pas reformës në drejtësi

exit.al 21 Janar 2021, 14:56

“Unë besoj që 21 janari mund të zbardhet plotësisht. Nëse do të zbardhet tërësisht si krim shtetëror, kjo dosje padiskutim që mund të përfundojë në dyert e SPAK.”

Kështu deklaroi të enjten Ulsi Manja, kreu komisionit të Ligjeve dhe deputet socialist, në një intervistë për News24. Në 10 vjetorin e trazirave të 21 janarit, ku humbën jetën 4 qytetarë, Manja tha se qeveria Rama ka bërë detyrat e saja, por nuk i takon asaj të bëjë drejtësi. Manja shtoi se qeveria ka nisur reformën në drejtësi, pikërisht për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjeve si këto:

“21 janari është çështje e drejtësisë. Vrasjet nuk i zbardh qeveria, ne krijojmë shtratin e nevojshëm për një drejtësi të pavarur.

Ajo që na takon neve si mazhorancë është raporti jonë me drejtësinë. Në këto 8 vjet ne kemi ndërmarrë një nga reformat më të thella, ajo në Drejtësi, dhe shpresojmë që drejtësia e re do duhet ta ketë në tryezën e saj të punës zbardhjen e 21 janarit.”

Lidhur me kërkesën e policisë së Tiranës për rihapjen e hetimeve për vrasjen e Aleks Nikës, e cila ka mbetur pa autor, Manja tha:

“Ka veprime hetimore për ta risjellë skemën e 21 janarit, dhe kjo është tërësisht e mundur të kryhen edhe sot nga Prokuroria. Përsëri ka prova po të kthehet në vendin e ngjarjes.”

Paraditen e së enjtes, në 10 vjetorin e vdekjes, Rama i shpalli ‘Dëshmorë të Atdheut’ katër viktimat, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.   Shpërndaje te miqtë