Çeta e të 300-tëve: Me britma mund të rrëzohet pushteti, por nuk ndërtohet shteti

Dr. Taulant Muka 18 Nëntor 2026, 00:52

Çeta e të 300-tëve: Me britma mund të rrëzohet

Nuk po propozoj edhe një parti të lindur nga zemërimi i radhës. Po propozoj një mënyrë tjetër për të ndërtuar fillimisht alternativën, përpara se të kerkohet pushteti. Prej më shumë se tri dekadash debati ynë publik sillet rreth së njëjtës pyetje: kush duhet të ikë nga pushteti? Shumë më rrallë pyesim se kush ka aftësinë të ndërtojë diçka më të mirë pasi të largohen ata që kundërshtojmë.

Kemi filluar të ngatërrojmë zemërimin me alternativën, megafonin me kompetencën dhe popullaritetin në rrjetet sociale me aftësinë për të drejtuar. Sikur mjafton të mbledhësh njerëz në shesh për të fituar automatikisht të drejtën e përfaqësimit.

Por protesta, sado e drejtë të jetë, nuk është diplomë qeverisjeje. Dhe as një diplomë universitare, sado prestigjioze, nuk të bën vetvetiu të aftë për të ndërtuar institucione. Përfaqësimi kërkon ide, përvojë, karakter dhe rezultate të provuara.

Historia jonë ka disa mësime që ia vlen t'i kujtojmë. Kur Gjergj Kastrioti u kthye në trojet shqiptare në vitin 1443, sipas rrëfimeve historike i shoqëruar nga rreth 300 kalorës, ai nuk solli vetëm shpatën. Solli përvojën strategjike dhe organizative të fituar në një prej perandorive më të fuqishme të kohës.

Më pas, rilindasit shqiptarë, shumë prej të cilëve kishin studiuar, punuar dhe jetuar jashtë vendit, sollën ide të reja për gjuhën, arsimin, kulturën dhe shtetin. Ata nuk kishin vetëm dashuri për atdheun, por edhe një përfytyrim se si mund të ndërtohej e ardhmja e tij.

Megjithatë, historia na mëson edhe diçka tjetër. Ajo që Skënderbeu nuk arriti të përfundojë ishte gjysma e dytë e punës: struktura që duhej ta mbante atë kapacitet përtej burrit që e solli.

Në Lezhë, në vitin 1444, u bë përpjekja, bashkimi i parë serioz që kthente besnikërinë personale në institucion. Nuk qëndroi, sepse mbeti një marrëveshje kryetarësh, pa rregulla pasardhjeje dhe pa mekanizëm që ta zëvendësonte njeriun në qendër. Skënderbeu vdiq në janar 1468; Kruja ra dhjetë vjet më vonë. Kapaciteti ishte i jashtëzakonshëm; struktura që do ta trashëgonte, mungonte.

Mësimi mbetet aktual: qëndrueshmëria e një vendi nuk mund të mbështetet përgjithmonë te forca e një individi, por te institucionet dhe aftësia e tyre për të siguruar vazhdimësi.

Pikërisht këtu qëndron edhe një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë. Nuk na mungojnë vetëm njerëzit e aftë; na mungojnë mekanizmat që dinë t'i identifikojnë, t'i përfshijnë në vendimmarrje dhe t'u japin mundësinë të prodhojnë rezultate.

Për vite me radhë kemi dëgjuar premtime për kthimin e trurit, por rrallë kemi diskutuar seriozisht se çfarë e pret një profesionist të formuar në Perëndim kur vendos të kontribuojë në Shqipëri.

Ai mund të sjellë përvojë, standarde profesionale, etikë pune dhe një mënyrë tjetër të të menduarit, por nëse përballet me emërime partiake, vendimmarrje të mbyllura dhe interesa klienteliste, ekspertiza e tij rrezikon të mbetet pa ndikim. Jo sepse nuk di të punojë, por sepse institucioni nuk i krijon hapësirë të punojë.

Kjo është një nga tragjeditë e tranzicionit shqiptar: kemi folur shumë për largimin e trurit, por shumë më pak për arsyet pse dija nuk arrin të kthehet në ndikim institucional.

Në këtë kontekst lind ideja e Çetës së të 300-tëve: një platformë kombëtare që bashkon profesionistë shqiptarë nga diaspora dhe profesionistë që jetojnë e punojnë në Shqipëri. Jo njerëz të përzgjedhur për emrin, titullin akademik apo lidhjet politike, por për atë që kanë ndërtuar realisht në jetën e tyre profesionale. Njerëz që kanë drejtuar universitete, institucione, kompani, projekte shkencore, sisteme shëndetësore apo struktura moderne administrimi; që njohin jo vetëm teorinë, por edhe vështirësitë e drejtimit, përgjegjësinë e vendimmarrjes dhe koston e gabimeve. Dhe çfarë është më e rëndësishme, të kenë arritje dhe suksese në jeten profesionale.

Përse edhe nga diaspora edhe nga Shqipëria? Sepse nuk besoj se kush ka ikur është domosdoshmërisht më i aftë se kush ka qëndruar. Në Shqipëri ka profesionistë të shkëlqyer që prej vitesh punojnë me dinjitet, shpesh në kushte shumë më të vështira sesa kolegët e tyre jashtë vendit. Ata njohin realitetin, institucionet dhe pengesat e përditshme, ndërsa diaspora mund të sjellë përvojën ndërkombëtare dhe njohjen e modeleve të tjera institucionale.

Të dyja janë të domosdoshme dhe asnjëra nuk duhet të pretendojë epërsi mbi tjetrën.

Por kush do t'i zgjedhë këta 300 njerëz? Kjo është pyetja që duhet bërë që në fillim, sepse nëse përzgjedhja bëhet nga një grup miqsh, nga një parti apo nga njerëz që vetëshpallen elitë, atëherë nuk kemi krijuar asgjë të re. Kemi riprodhuar të njëjtin model që pretendojmë të ndryshojmë.

Përzgjedhja duhet të jetë e hapur, me kritere publike, arritje profesionale të verifikueshme, deklarim të konflikteve të interesit dhe mandate të kufizuara. Të gjithë duhet të dinë pse është zgjedhur dikush, çfarë pritet prej tij dhe si do të vlerësohet puna e tij. Këta profesionistë nuk duhet të kërkojnë privilegjin e pushtetit, por autoritetin që buron nga dija, transparenca dhe rezultatet.

Nëse një platformë e tillë nuk arrin të zbatojë meritokracinë brenda vetes, nuk ka asnjë arsye të pretendojë se mund ta promovojë atë në shtet.

Kjo ide nuk është pa precedentë në Europë. Në Spanjën e viteve ’70, Grupo Tácito mblodhi juristë, profesorë dhe profesionistë që kontribuuan me ide dhe propozime në tranzicionin demokratik. Disa prej tyre hynë më pas në qeverisje dhe ndihmuan në krijimin e forcave të reja politike. Në Serbi, G17 Plus nisi si një grup ekonomistësh që kërkonin reforma dhe përfundoi duke u shndërruar në parti politike, me të gjitha kompromiset dhe konfliktet që sjell konkurrenca për pushtet.

Këto përvoja nuk provojnë se ekspertët duhet të qëndrojnë jashtë politikës, por as se duhet të bëhen domosdoshmërisht politikanë. Ato ngrenë një pyetje më të rëndësishme: si mund të kthehet dija në pushtet real vendimmarrës pa humbur pavarësinë dhe standardet që i dhanë besueshmëri?

Çeta e të 300-tëve mund të nisë si një platformë ekspertize dhe reformash, por nuk ka arsye ta përjashtojë paraprakisht shndërrimin në një forcë politike, nëse kjo bëhet përmes një mandati demokratik, një programi të qartë dhe rregullave që pengojnë përqendrimin e pushtetit. Ajo që duhet të mbetet e pandryshueshme nuk është forma organizative, por parimi se askush nuk qëndron mbi meritën, ligjin dhe llogaridhënien.

Çfarë do të bënte konkretisht kjo çetë? Përpara zgjedhjeve, kur partitë premtojnë rritje pagash, ulje taksash dhe investime miliardëshe, ajo mund t'i analizojë programet dhe t'u tregojë qytetarëve sa kushtojnë premtimet, çfarë është e realizueshme dhe çfarë mbetet propagandë elektorale.

Kur ndërtohet një rrugë, një spital apo një shkollë, profesionistët e saj mund të shqyrtojnë kontratat dhe shpenzimet publike, të evidentojnë problemet dhe të kërkojnë llogari me dokumente e fakte. Jo duke zëvendësuar institucionet e auditimit apo të drejtësisë, por duke ushtruar kontroll të pavarur publik mbi vendimmarrjen.

Po kështu, kur hapen vende drejtuese në administratë, platforma mund të kërkojë kritere profesionale, konkurse transparente dhe vlerësim të rezultateve, sepse një shtet nuk mund të funksionojë normalisht nëse besnikëria ndaj partisë vlen më shumë se aftësia për të kryer punën.

Brenda vitit të parë, kjo nismë mund të hartojë një program reformash në arsim, administratë, ekonomi dhe shërbime publike, me afate, kosto dhe objektiva të matshëm. Propozimet duhet të jenë publike, të hapura ndaj kritikës dhe të vlerësueshme nga qytetarët. Nuk kemi nevojë për një tjetër grup këshilltarësh që prodhojnë raporte për sirtarët e ministrive.

Megjithatë, problemi më i madh i Shqipërisë nuk është vetëm se kush drejton sot, por edhe se çfarë po përgatisim për nesër.

Rezultatet e testimeve ndërkombëtare PISA kanë nxjerrë në pah vështirësi serioze të nxënësve shqiptarë në lexim, matematikë dhe shkencë. Këto nuk janë thjesht statistika arsimore, por një paralajmërim për kapitalin njerëzor mbi të cilin do të mbështetet vendi në dekadat e ardhshme.

Mund të ndërrojmë dhjetë qeveri, por nëse shkolla nuk u mëson fëmijëve të kuptojnë, të arsyetojnë dhe të zgjidhin probleme, dhe nëse universitetet vazhdojnë të vlerësojnë më shumë diplomën sesa kompetencën, do të vazhdojmë të riprodhojmë të njëjtat dobësi institucionale.

Prandaj, revolucioni që i duhet Shqipërisë nuk fillon në zyrën e kryeministrit, por në bankat e shkollës dhe në auditorët e universiteteve.

Për këtë arsye, Çeta e të 300-tëve duhet ta ketë arsimin në qendër të misionit të saj, jo vetëm duke propozuar reforma, por duke krijuar një rrjet mentorimi që lidh profesionistët shqiptarë me shkollat, universitetet dhe të rinjtë. Një shkencëtar që punon në një universitet europian mund të ndihmojë një laborator shqiptar; një mjek me përvojë ndërkombëtare mund të kontribuojë në përmirësimin e praktikave klinike; një sipërmarrës mund të ndihmojë të rinjtë të zhvillojnë ide dhe iniciativa të reja.

Por ky angazhim duhet të ketë një detyrim moral: çdo anëtar i çetës të ndihmojë në formimin e profesionistëve të tjerë, mundësisht më të aftë se vetja. Treqind nuk duhet të jetë numri i një elite të përjetshme, por bërthama e një rrjeti që zgjerohet dhe ripërtërihet. Nëse pas disa vitesh nuk kemi krijuar qindra e mijëra profesionistë të tjerë të aftë për të marrë përgjegjësi, atëherë edhe kjo nismë do të ketë dështuar.

Një elitë që ruan vetëm pozitat e veta, në vend që të krijojë mundësi për të tjerët, bëhet pjesë e problemit që pretendon të zgjidhë.

Sigurisht, do të ketë nga ata që do të pyesin se kush do t'i paguajë këta njerëz. Por pyetja nuk është vetëm sa kushton ekspertiza, por edhe sa na kushton mungesa e saj. Sa paguajmë për projekte publike të dështuara, reforma që ndryshojnë sa herë ndërrohet ministri, kontrata të keqmenaxhuara dhe institucione që nuk prodhojnë rezultate? Një profesionist i mirë kushton, por edhe paaftësia kushton, dhe faturën e saj shpesh e paguajmë për shumë vite.

Një platformë e tillë mund të financohet përmes mekanizmave transparentë, me publikim të plotë të burimeve dhe shpenzimeve, pa u kthyer në instrument të interesave politike apo ekonomike.

Nëse duam që profesionistët të analizojnë interesa të fuqishme dhe të thonë të vërteta të pakëndshme, duhet të mendojmë edhe për pavarësinë dhe sigurinë e tyre. Mbrojtja ligjore nga kërcënimet dhe presionet, garancitë profesionale dhe transparenca financiare nuk janë privilegje, por kushte për një ekspertizë që nuk blihet dhe nuk hesht përballë pushtetit.

Natyrisht, nuk duhet të krijojmë një iluzion të ri. Treqind njerëz, sado të ditur dhe të ndershëm, nuk mund ta shpëtojnë të vetëm Shqipërinë. Demokracia nuk mund të zëvendësohet nga një grup ekspertësh, sepse vendimet politike kërkojnë legjitimitet demokratik, ndërsa ekspertiza duhet të ndihmojë që këto vendime të jenë më të informuara, më transparente dhe më të përgjegjshme.

Pikërisht për këtë arsye, Çeta e të 300-tëve nuk duhet të bëhet një tjetër strukturë që kërkon karrige, por një platformë që prodhon dije, ndërton standarde dhe krijon mundësi që njerëzit e aftë të kontribuojnë në institucionet e vendit. Fuqia e saj nuk duhet të vijë nga privilegjet ligjore apo afërsia me pushtetin, por nga besueshmëria që fiton përmes punës së saj.

Shqipëria ka njohur shumë protesta, shumë liderë dhe shumë premtime për ndryshim. Por rezistenca ndaj sistemit nuk ka filluar në një shesh, as në një muaj të caktuar.

Ka njerëz që prej dekadash u kanë qëndruar besnikë profesionit, parimeve dhe dinjitetit të tyre, pa kamera, pa megafonë dhe pa duartrokitje. Edhe ata janë pjesë e kësaj historie dhe nuk mund të përjashtohen nga përfaqësimi vetëm sepse nuk kanë qenë në rreshtin e parë të një proteste.

Protesta mund të hapë rrugën e ndryshimit, por ndërtimi i shtetit kërkon një punë tjetër, më pak spektakolare dhe shumë më të vështirë: krijimin e institucioneve që funksionojnë edhe kur ndryshojnë njerëzit që i drejtojnë.

Në fund, nuk ka rëndësi nëse kjo nismë do të quhet Çeta e të 300-tëve apo do të marrë një emër tjetër. Rëndësi ka të fillojmë të diskutojmë seriozisht se si njerëzit e aftë mund të marrin përgjegjësi dhe se si dija mund të kthehet në forcë reale për ndryshimin e vendit.

Suksesi i kësaj çete nuk do të jetë dita kur treqind njerëz të marrin drejtimin e Shqipërisë, por dita kur institucionet të jenë aq të forta, sa të mos kemi më nevojë për heronj që të na shpëtojnë. Sepse me britma mund të rrëzosh një pushtet, por vetëm me dije, integritet dhe institucione (sisteme) mund të ndërtosh një shtet.

 

Shpërndaje te miqtë