Sa më i fortë Rama, aq më e dobët Partia Socialiste

Ornela Çuçi 18 Nëntor 2026, 10:43

Sa më i fortë Rama, aq më e dobët Partia Socialiste

Ka një kontradiksion të pashmangshëm tek të gjithë individët që qëndrojnë gjatë në pushtet, të cilin mund ta perifrazojmë si paradoksi i pazëvendësueshmërisë. Fillimisht kërkojnë pushtetin për të provuar se janë të aftë të drejtojnë e më pas e përdorin pushtetin për të provuar se askush tjetër nuk mundet veç tyre.

Dhe sa më shumë arrijnë të kontrollojnë, aq më shumë ndiejnë nevojën ta demonstrojnë këtë kontroll. Sikur pushteti, pas njëfarë kohe, të mos u mjaftonte më vetëm duke e pasur.

Pas trembëdhjetë vitesh si kryeministër, me një shumicë parlamentare që e kanë ëndërruar të gjithë para tij dhe një parti ku autoriteti i tij vështirë se vihet në diskutim, përse Edi Rama ndien ende nevojën të tregojë publikisht se kush vendos?

Përse duhet të demonstrojë një pushtet që askush nuk ia vë më seriozisht në dyshim? Sepse mundet.

Po, por pushteti është një marrëdhënie shumë më e ndërlikuar sesa aftësia për të urdhëruar dhe për t'u bindur. Sidomos kur zgjat kaq shumë.

Në vitet e para, një udhëheqës ka nevojë për partinë për të fituar pushtetin. Ai mbështetet fort te strukturat, respekton njerëzit që e kanë sjellë deri aty dhe mbi gjithçka historinë dhe identitetin politik të organizatës.

Me kalimin e viteve, veçanërisht kur fitoret përsëriten, kjo marrëdhënie mund të përmbyset. Nuk është më lideri që ka nevojë për partinë, por partia që fillon të besojë se nuk mund të ekzistojë pa liderin.

Dhe kryetari fiton plotësisht mbi organizatën kur arrin t'i bindë të gjithë anëtarët se janë të pazëvendësueshëm vetëm për aq kohë sa ai i konsideron të nevojshëm.

Miratimi dhe heshtja kthehen në një formë mbijetese politike. Nuk është nevoja të ndalohet kritika. Mjafton që të gjithë ta dinë se ajo ka një çmim.

Kjo kulturë ndërtohet përmes emërimeve, promovimeve dhe largimeve, derisa njerëzit mësojnë jo vetëm çfarë duhet të thonë, por edhe çfarë nuk duhet të mendojnë me zë të lartë.

Rrethi i atyre që i japin të drejtë kryetarit zgjerohet, ndërsa mundësia që ai të dëgjojë diçka që nuk i pëlqen zvogëlohet. Dhe vjen një ditë kur edhe një kundërshtim i zakonshëm tingëllon si rebelim.

Nuk është vrazhdësia ajo që përbën lajm, se me këtë jemi mësuar, por nevoja për ta bërë atë publike, për ta kthyer në një demonstrim para të gjithëve. Sepse, në një organizatë ku bindja është bërë normë, ndëshkimi i një kundërshtimi nuk i drejtohet më vetëm atij që kundërshton, por të gjithëve që mund të mendojnë ta bëjnë.

Prej disa vitesh punoj me Armeninë dhe, sa herë rikthehem atje, mundohem të mësoj e të kuptoj çfarë ka mbetur atje politikisht pas revolucionit të vitit 2018. Partia Republikane e Armenisë, e cila për vite kishte qenë shtylla e pushtetit, në zgjedhjet e dhjetorit 2018 mori vetëm 4,7 për qind të votave dhe mbeti jashtë parlamentit. Një parti që kishte pasur shtetin në dispozicion për vite të tëra, papritur nuk kishte më as votat për të hyrë në parlament.

Historia armene nuk na tregon se çfarë do të ndodhë me Edi Ramën. Ama na tregon se një parti mund të duket e pathyeshme për sa kohë fiton zgjedhje dhe të zbulojë brishtësinë e saj vetëm kur humbet pushtetin.

Prandaj, pas trembëdhjetë vitesh qeverisjeje, pyetja nuk mund të jetë vetëm sa zgjedhje ka fituar. Duhet të jetë edhe çfarë ka ndërtuar ndërkohë. Një parti që mund të qeverisë edhe pa të? Apo një parti që, sa më shumë fiton me të, aq më pak di të ekzistojë pa të?

Kjo nuk është vetëm një çështje e brendshme e socialistëve. Një parti që nuk mund ta kundërshtojë kryetarin e saj e ka të vështirë të kontrollojë edhe pushtetin që ushtron në emër të qytetarëve.

Mbi të gjitha, kur ajo qeveris për trembëdhjetë vjet, kultura e saj e brendshme nuk mbetet brenda selisë. Ajo hyn në administratë, në mënyrën si zgjidhen drejtuesit dhe në marrëdhënien e institucioneve me qytetarin.

Kjo është arsyeja pse demonstrimi i forcës në një asamble partie nuk është thjesht një çështje partie. Problemi i pushtetit të personalizuar nuk fillon ditën kur largohet udhëheqësi. Fillon shumë më herët, kur institucionet mësohen të funksionojnë sikur ai nuk do të largohet kurrë.

Një udhëheqës mund ta forcojë aq shumë pozicionin e vet, sa të dobësojë pikërisht organizatën që e ka sjellë në pushtet.

Dhe ndoshta prova më e rëndësishme e një udhëheqësi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por sa pak varet prej tij ajo që lë pas.

 

Shpërndaje te miqtë