Të sëmurët lehtë me Covid-19 do të ndiqen në shtëpi nga mjekët e familjes

exit.al 6 Prill 2020, 15:14

Të sëmurët lehtë me Covid-19, të cilët janë mbyllur në shtëpi, do të ndiqen nga mjekët e familjes. Lajmin e dha Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në qendrën shëndetësore Nr.5 në rrugën Islam Alla në Tiranë. Ajo u shpreh se 1 600 mjekë të të gjithë vendit do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve që janë prekur nga epidemia e koronavirusit.

“Ashtu siç janë në vijën e zjarrit mjekët e Spitalit Infektiv, mjekët e spitalit Shefqet Ndroqi, dhe gjithë sistemi spitalor […] e njëjta gjë është dhe për mjekët e familjes.

Janë 1600 mjekë të familjes të cilët kanë fokusuar forcat e tyre […] për asistencën që do t’i japin pacientëve me Covid-19 të cilët kanë simptoma të lehta apo të moderuara dhe trajtohen në kushte shtëpie.”

Ministrja u shpreh se mjekët e familjes do të informojnë për çdo të infektuar që gjendet në zonën e tyre të mbulimit. Për të ndjekur rastet, mjekët do të duhet të përdorin videokonsultat dhe sistemin e telemjekësisë. Deri të hënën, në Shqipëri janë diagnostikuar 377 persona të infektuar me koronavirus, 22 prej të cilëve kanë vdekur dhe 116 janë shëruar.