'Rama në burg, Berisha në burg': Si u legjitimua thirrja që sfidoi duopolin politik

Fatjon Biba 11 Nëntor 2026, 12:17

'Rama në burg, Berisha në burg': Si u legjitimua thirrja

E diel, 31 maj 2026. Videoja e një qytetari që tërhiqej zvarrë në Zvërnec kishte marrë dhenë. Në orën 18:00 ishte thirrur një protestë në Tiranë.

Pesë ditë më parë, protesta përballë Ministrisë së Mjedisit po për çështjen e Zvërnecit kishte një pjesëmarrje të ulët, si shumica e protestave qytetare në këto vite.

Ndaj edhe në protestën e së dielës, përtej irritimit në rrjetet sociale parashikoja pjesëmarrje të ulët. Fillimisht tek Drejtoria e Policisë, dhe më pas tek Kryeministria u bë e qartë se parashikimi im ishte i gabuar.

Sloganet dhe thirrjet e para nisën të thuheshin në kor. Në protesta thirrjet që hedh dikush miratohen nga kori. Disa ngjisin e të tjera jo.

Sigurisht, për to nuk votohet me kartona. Votimi është spontan, përmes heshtjes refuzuese, se përmes bashkimit të zërave në kor.

“Bashkohuni me ne”, “Shqipëria është e jona”, “dorëheqje”, “anuloni ligjet”. Befas diku në turmë u hodh thirrja “Rama në burg”. Një thirrje e shkurtër dhe pa rimë, disi e vështirë për t’u thënë në kor.

Në tentativën e dytë, ose të tretë të thirrjes “Rama në burg”, diku në turmë u hodh për “miratim” edhe thirrja “Berisha në burg”. Zërat që u bashkuan menjëherë miratuan thirrjen e bashkuar “Rama në burg, Berisha në burg”.

Ajo që ndodhi atë mbrëmje ishte më shumë se miratimi spontan i një slogani. Për herë të parë, një protestë qytetare po artikulonte njëkohësisht refuzimin e qeverisë dhe të pretendimit të opozitës tradicionale për të përfaqësuar çdo pakënaqësi ndaj saj.

Atë ditë askush nuk u përpoq ta censuronte këtë thirrje, madje as për ditë dhe muaj me radhë.

Thirrja u kthye në një simbol të fortë që identifikon këtë lëvizje, për të dhënë mesazhin e fortë se këta dy personazhe që personifikojnë dështimin politik të këtij vendi duhet të largohen.

Prej shumë vitesh, pakënaqësia ndaj pushtetit është kanalizuar kryesisht nga opozita tradicionale. Kjo protestë tregoi se mund të ekzistojë edhe një kundërshtim qytetar që nuk kërkon thjesht të zëvendësojë një udhëheqës me një tjetër, por të ndryshojë një sistem të ndërtuar keq. Pikërisht kjo pavarësi i dha sloganit kuptimin e tij të veçantë dhe e dalloi protestën nga tubimet partiake.

Partia Demokratike ka pretenduar prej vitesh të jetë përfaqësuesja kryesore e pakënaqësisë ndaj Edi Ramës. Për pasojë, kritika ndaj qeverisë shpeshherë interpretohet automatikisht si mbështetje për Sali Berishën.

Në fakt, të dy kanë kultivuar prej vitesh konceptin “o me ne, o kundër nesh”, duke pretenduar praktikisht se nuk mund të ketë njerëz të lirë që mund të shprehen kundër të dyve.

Shumë qytetarë kanë hezituar të protestojnë kundër Ramës nga frika se mos instrumentalizohen nga Berisha, ndërsa të tjerë nuk duan që kundërshtimi i Berishës t’i identifikojë me Ramën.

Slogani “Rama në burg, Berisha në burg” krijoi një hapësirë, e hapi sheshin për të protestuar kushdo, duke zgjeruar bazën e protestës pa cenuar pavarësinë e tyre politike.

Në këtë protestë, pakënaqësia ndaj Ramës artikulohet masivisht pa i dhënë Berishës të drejtën për ta përfaqësuar atë.

Edhe pse qeveria dhe opozita tradicionale kanë kërkuar të ruajnë monopolet, njëra të pushtetit dhe tjetra të akuzës, shumë herë kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët. Kjo u pa në ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, të cilat forcuan rolin e kryetarit të partisë në miratimin e listave apo ndryshimi që lejoi miratimin e Presidentit të Republikës me 71 vota në raundin e pestë.

U pa edhe në vitin 2024 në miratimin e amnistisë penale, nga e cila përfituan dhe persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe në ndryshimet e Kodit Zgjedhor të po këtij viti të cilat vazhdojnë të pengojnë konkurrencën reale në politikë.

Zhgënjimi ndaj të dyja palëve ka ardhur duke u shtuar dhe kjo protestë arriti ta ndryshojë boshtin e debatit publik duke e zhvendosur vëmendjen nga rivaliteti Rama–Berisha tek përgjegjësia e të dyve për gjendjen e politikës shqiptare.

Më e rëndësishmja, protesta arriti të sfidojë duopolin politik, duke kundërshtuar idenë se shqiptarët duhet të zgjedhin përjetësisht midis Ramës dhe Berishës.

Edhe pse vazhdimisht gjatë kësaj periudhe Rama dhe Berisha kanë komunikuar me njëri-tjetrin, me akuza të ndërsjellta, protestuesit kanë treguar vazhdimisht se janë të pavarur dhe nuk janë instrument i asnjërës palë, duke arritur ta demaskojnë personalizimin politik, ku partitë janë kthyer në struktura të varura nga fati dhe ambicia e liderëve. Rrjedhimisht, ata kanë rrëzuar pretendimin se politika shqiptare nuk mund të ekzistojë pa këta dy individë.

Protesta gjithashtu e sfidoi mendimin e kultivuar prej vitesh se duhet të mbështesim të keqen më të vogël, duke justifikuar mbështetjen e njërës palë nga frika e palës tjetër.

Ajo u dha mundësi qytetarëve me bindje nga më të ndryshmet, të lënë mënjanë përllogaritjet dhe të bashkohen rreth pakënaqësisë kryesore, asaj të ndryshimit të elitës politike.

Presioni për demokratizimin e partive politike është shtuar dhe konsiderohet gjerësisht si e vetmja mënyrë për të ofruar alternativë të vërtetë për vendin. Por për fat të keq, ashtu si Rama, edhe Berisha nuk arriti ta dëgjojë sheshin dhe ta shfrytëzojë këtë moment për t’u larguar, për t’i dhënë mundësi hapjes së garës për një alternativë të re.

Sigurisht që Partinë Demokratike e kanë mbështetur fort shumë qytetarë që nga 1990 deri më sot, me besimin se kjo forcë politike do të mund ta zhvillojë vendin. Që atëherë PD ka sjellë kontribute pozitive por edhe negative në vend.

Sot, këtë çast vendimtar, është e rëndësishme që të gjithë mbështetësit dhe anëtarët e saj ta shohin realitetin në sy, të kërkojnë demokratizimin e saj dhe ndërtimin e një formacioni serioz, ose në të kundërt rrezikojnë të mbyllin ciklin si parti së bashku me mbylljen e ciklit politik të udhëheqësit të saj.

Thirrja “Rama në burg, Berisha në burg”, e cila lindi spontanisht në një protestë qytetare, u përhap masivisht sepse shprehu një pakënaqësi që prej kohësh nuk gjente përfaqësim politik.

Kjo thirrje artikuloi refuzimin e një sistemi ku dy udhëheqës kanë arritur ta lidhin fatin e partive të tyre me fatin personal dhe ta kufizojnë konkurrencën politike brenda rivalitetit mes tyre.

Tani sfida është që kjo pakënaqësi të prodhojë një alternativë të organizuar dhe të besueshme. Ashtu si qytetarët gjetën dhe miratuan një thirrje të përbashkët, duhet të gjejnë edhe njerëzit dhe idetë që mund ta kthejnë atë në një projekt politik.

 

Shpërndaje te miqtë