Progresi që nuk i duhet askujt

Ornela Çuçi 7 Nëntor 2026, 19:46

Progresi që nuk i duhet askujt
Duke lexuar Raportin e Progresit 2026 të Komisionit Europian, u ndala, si gjithmonë, te kapitulli 27, ai për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Këtë herë kishim bërë progres. Të kufizuar, vërtet, por progres gjithsesi. Një vit më parë nuk kishim bërë as aq. Lajm i mirë shumë ky.

Kemi miratuar ligje për menaxhimin e mbetjeve dhe plane kombëtare për klimën dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, kemi krijuar institucione të reja që nuk i kanë hyrë askujt në punë, si Agjensia e Mbetjeve dhe kemi përparuar në përafrimin e legjislacionit europian.

Në fushën e klimës, Komisioni na njihte madje progres të mirë në përafrimin ligjor.

Të gjitha të nevojshme, pa diskutim.

Por pak rreshta më tutje, i njëjti raport konstaton se shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve mbeten në nivele të ulëta, trajtimi i ujërave të ndotura është ende shumë i kufizuar dhe cilësia e vlerësimeve të ndikimit në mjedis vazhdon të jetë e pamjaftueshme.

Pra, Shqipëria ka përparuar më shumë në dokumentimin e zhvillimit sesa në garantimin e jetës më të qëndrueshme të qytetarit.

Duke e njohur sistemin nga brenda, e di se administrata jonë nuk është gjithmonë e paaftë për të vepruar. Kur ekziston një interes i diktuar qartë, institucionet mobilizohen menjëherë dhe ligjet ndryshohen më shpejt se kudo, procedurat përshpejtohen dhe për vendimet tip VKM merren me një shpejtësi që do ta kishte zili çdo administratë europiane.

Por kur vjen puna te infrastruktura publike si kanalizimet, mirëmbajtja apo kontrolli mjedisor, si monitorimi i Lanës, e njëjta administratë zbulon papritur sa të ndërlikuara janë procedurat, për të mos folë pastaj sa të kufizuara fondet.

Nuk është se nuk dimë të veprojmë. Çështja është çfarë na bën të veprojmë.

Shqipëria është dukshëm më e zhvilluar se dhjetë vjet më parë. Këtë nuk e mohon dot askush që ka sy në ballë.

Janë ndërtuar rrugë, trotuare, ujësjellësa si edhe resorte e kulla dhe janë krijuar vende pune dhe janë transformuar hapësira të tëra, sidomos në Tiranë dhe ne bregdet. Por zhvillimi ynë më ngjan gjithnjë e më shumë me një tapet luksoz të shtruar mbi baltë. Tapeti është i bukur, pa diskutim, por sa do na rezistojë mbi atë çfarë po ndodh poshtë tij.

Nëse hapni sot faqen e KKT metrat katrorë të ndërtimit i gjejmë të regjistruar me përpikëri, por realiteti ështe se shumë më pak dimë për kapacitetet e infrastrukturës që duhet t’u shërbejë.

Sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë periudhës 2015–2024, nga rreth 7 miliardë lekë investime të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë në sistemet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, vetëm 926,6 milionë lekë, ose 13,2%, shkuan për kanalizimet. Vetë KLSH vlerëson se investimet në këtë infrastrukturë kanë qenë dukshëm më të ulëta se nevojat.

Më 2 nëntor 2026, instituti zviceran Eawag publikoi një analizë ku evidenton se rrjeti ekzistues i kombinuar i kanalizimeve në Tiranën e Madhe është mbingarkuar nga rritja urbane dhe se pothuajse asnjë nga ujërat e ndotura të kryeqytetit nuk trajtohet përpara shkarkimit në sistemin lumor, fiks në qendër të qytetit.

Në vitin 2022, shteti konstatoi mijëra metra katrorë ndërtime jashtë lejes, edhe në zemër të Tiranës. Nuk po flasim për një mur të ngritur fshehurazi në garazhin e pallatit Tim, ku inspektorët e çdo institucioni mbijnë sa hap e mbyll sytë. Po flasim për kate të tëra, që kërkojnë muaj e vite për t’u ndërtuar. A thua se shteti që kishte miratuar projektet, papritur u gjend përballë një realiteti tjetër nga ai që kishte autorizuar, brenda ditës pasi kryeministri jep urdhérin se duhet edhe një tjetër aksion.

Por halli nuk është vetëm çfarë është ndërtuar mbi tokë, halli më I madh është se nëse një ndërtesë devijon nga projekti i miratuar, kush garanton se dokumentacioni teknik pasqyron saktësisht atë që është realizuar, përfshirë themelet dhe pilotat?

Nëse nesër Tirana do të ndërtonte një metro, a do të kishim një hartë të besueshme të nëntokës së qytetit? Ia qaj hallin që sot zyrës së projektimit në këtë rast, se dokumentacioni nuk mungon, por rastet e vitit 2022 vënë në diskutim sa përputhet ajo që shteti ka miratuar me atë që është ndërtuar realisht.

Nuk besoj se kjo mospërputhje mund të shpjegohet pafundësisht me mungesë kapacitetesh. Në fund të fundit, edhe ligjet kanë fatin e tyre. Disa zbatohen me një vendosmëri të admirueshme, të tjerat mbeten në pritje të fondeve, strukturave apo vullnetit politik.

Dhe kështu kemi krijuar një shtet ku ekzistenca e rregullit nuk garanton domosdoshmërisht fuqinë e tij. Rregulli është aty, por pesha e tij ndryshon sipas interesit që ka përballë.

Andaj Raporti i Progresit më shumë se dëshmi progresi e Kapitullit 27 është një pasqyrë interesante e kontradiktës sonë. Ne miratojmë ligje për t’iu afruar Europës, ndërsa në praktikë vazhdojmë të negociojmë me çdo investitor se deri ku do t’i zbatojmë ato.

Sikur kanalizimet funksionale, ujërat e trajtuara apo qytetet e planifikuara të ishin nevojë e Brukselit dhe jo e njerëzve që jetojnë në këtë qytet.

Nuk kam asgjë kundër zhvillimit të Shqipërisë.

Përkundrazi.

Por do të doja që një ditë të mos na duhej Raporti i Progresit për të kuptuar sa kemi përparuar. Ta kuptonim nga qytetet ku jetojmë, nga shërbimet që marrim, dhe nga ligjet që zbatohen njësoj për të gjithë. Sepse për ne që jetojmë këtu dhe kemi vendosur që t'i zhvillojmë edhe fëmijët këtu, çështja nuk është sa mirë dimë t’i shkruajmë rregullat, por për kë dhe ndaj kujt kemi vullnetin t’i zbatojmë.

Shpërndaje te miqtë