Shtyhet ceremonia e çmimeve Oscar për shkak të pandemisë

exit.al 16 Qershor 2020, 16:07

Ceremonia e çmimeve Oscar për vitin 2021 është shtyrë për në 25 prill, nga 28 shkurti kur ishte planifikuar fillimisht. Shkak për këtë vendim është bërë pandemia e Covid-19.

Akademia e Shkencave dhe Arteve në Shtetet e Bashkuara arsyetoi se për shkak të pandemisë janë pezulluar dhe anullur xhirimet për shumë filma, ndaj nevojitet shtyrja e ceremonisë.

Akademia shtyu dhe afatin për dërgimin e filmave në garë për çmimet Oscar, nga 31 dhjetori 2019 në 28 shkurt të 2021-ës.

“Shpresa jonë, për shtyrjen e afatit të aplikimit, është që t’iu ofrojmë fleksibilitet regjisorëve në përfundimin e filmave të tyre, pa i ndëshkuar për diçka që është jashtë kontrollit të secilit”, u shpreh presidenti i Akademisë, David Rubin dhe shefja ekzekutvive, Daën Hudson.

Kjo është vetëm hera e katërt, në historinë 93-vjeçare të ndarjes së çmimeve Oscar, që data e ceremonisë është ndryshuar. Tre herët e tjera kanë ndodhur:

  • Në vitin 1938, për shkak të përmbytjeve në Los Anxhelos;
  • Në vitin 1968, për shkak të vrasjes së liderit për të drejtat civile, Martin Luther King;
  • Në vitin 1981, pas tentivës për vrasje të presidentit të atëhershëm amerikan, Ronald Regan.

Shpërndaje te miqtë