Përse pasuria nuk krijoi elitë?

Irena Beqiraj 7 Nëntor 2026, 19:06

Përse pasuria nuk krijoi elitë?
Shqipëria ka prodhuar gjatë tri dekadave të fundit një numër të konsiderueshëm njerëzish të pasur.

Disa e kanë krijuar pasurinë përmes sipërmarrjes, të tjerë përmes lidhjeve me pushtetin, ndërmjetësimit, privilegjeve apo mundësive që u ka ofruar një ekonomi me institucione ende të brishta. Por, pavarësisht origjinës së ndryshme të pasurisë, një pyetje mbetet: a kemi arritur të krijojmë një elitë të mirëfilltë shoqërore?

Pasuria dhe elita nuk janë sinonime.

Pasuria është nivel ekonomik; elita është një pozicion shoqëror që fitohet përmes autoritetit, integritetit, dijes, përgjegjësisë dhe ndikimit kulturor. Një njeri mund të zotërojë hotele, kulla, makina luksoze dhe llogari bankare me shumë zero, por asnjëra prej tyre nuk e bën automatikisht pjesë të elitës.

Edhe pse, duhet pranuar, në Shqipëri ka jo pak njerëz që kanë investuar shumë për t'i bindur të tjerët për të kundërtën.

Elitat nuk krijohen brenda një dekade. Ato formohen përmes trashëgimisë së dijes, kulturës, traditës së punës, reputacionit dhe përgjegjësisë. Nuk mjafton të trashëgosh apo të grumbullosh pasuri, duhet të jesh në gjendje të trashëgosh edhe vlera. Edhe Shqipëria hyri në vitin 1990 me një boshllëk të madh në këtë drejtim.

Së pari, regjimi komunist shkatërroi një pjesë të konsiderueshme të elitës ekonomike, intelektuale dhe kulturore që ishte formuar para Luftës së Dytë Botërore.

Familje me traditë tregtare, pronarë, intelektualë, profesionistë dhe njerëz me ndikim kulturor u persekutuan dhe u shpronësuan. Kështu u ndërpre transmetimi i kulturës së pronës, sipërmarrjes, përgjegjësisë publike dhe pavarësisë intelektuale.

Pas vitit 1990 nuk nisëm thjesht nga zeroja ekonomike. Nisëm edhe me një ndërprerje të trashëgimisë shoqërore dhe kulturore. Na mungonin jo vetëm kapitali dhe institucionet, por edhe modelet që mund të shërbenin si pikë referimi.

Së dyti, pas vitit 1990, kur e nisëm nga e para, një pjesë e madhe e shoqërisë ishte e etur për pasuri, jo domosdoshmërisht për kulturën që e krijon dhe e shoqëron atë. Privatizimet, ndërtimi, marrëdhëniet me politikën, aksesi në burimet publike dhe dobësia e institucioneve krijuan mundësi për pasurim të shpejtë.

Sigurisht, ka sipërmarrës që kanë ndërtuar biznese me punë, vizion dhe këmbëngulje. Por modeli dominues i zhvillimit nuk arriti të prodhojë një kulturë të konsoliduar kapitaliste.

Teksa pasuria u lidh më shumë me aksesin tek pushteti sesa me konkurrencën, u krijua një klasë përfituesish, jo një elitë ekonomike autonome nga pushteti.

Së treti, në tridhjetë vite tranzicion ngatërruam diplomën me dijen dhe titullin me autoritetin. Krijuam iluzionin e një elite intelektuale që ndërtohej përmes numrit të doktoraturave, titujve akademikë apo pozicioneve universitare.

Në fakt, elita krijohet nga cilësia e dijes, integriteti, mendimi kritik dhe kontributi në zhvillimin e shoqërisë. Një profesor që nuk prodhon dije, një akademik që nuk ka guxim të flasë hapur, një intelektual që e ndryshon qëndrimin sipas interesit nuk mund të quhen elitë, pavarësisht titujve që mbajnë.

Teksa prodhojmë më shpejt tituj sesa autoritet shkencor, kemi ekspertë për çdo çështje që nuk mbajnë përgjegjësi për atë që thonë, apo universitete që ende përpiqen të bindin botën se prodhojnë dije ajo që kemi arritur është prespektiva e kufizuar e mendimit kritik.

Së katërti, nuk kemi krijuar institucione që prodhojnë dhe mbrojnë meritën. Elitat nuk krijohen vetëm nga cilësitë individuale. Ato kanë nevojë për institucione që identifikojnë talentin, shpërblejnë meritën, mbrojnë pavarësinë dhe krijojnë mundësi për zhvillim.

Këtu u krijua një sistem ku rekomandimi mund të vlejë më shumë se CV-ja, bindja më shumë se kompetenca dhe besnikëria më shumë se integriteti. Kur karriera profesionale, akademike apo publike ndikohet nga përkatësia politike, njohjet dhe afërsia me pushtetin, individët më të aftë nuk kanë gjithmonë mundësinë të marrin pozicionin që meritojnë, edhe pa meritë nuk mund të ketë elitë!

Së pesti, politika ka zënë edhe hapësirën që duhet t'i përkiste shoqërisë civile dhe elitave të pavarura.

Në një shoqëri të shëndetshme, politika nuk mund të jetë burimi i vetëm i autoritetit. Universitetet, akademia, media e pavarur, organizatat profesionale, fondacionet, sipërmarrësit dhe intelektualët duhet të kenë ndikim të pavarur nga qeveria.

Kur pjesa dërrmuese e njerëzve me ndikim ekonomik, intelektual apo mediatik preferojnë të qëndrojnë pranë pushtetit dhe të mos e kundërshtojnë atë, në vend që të kemi një elitë që vendos standarde dhe i kërkon llogari politikës, kemi një grup njerëzish me ndikim që, në shumë raste, i shërbejnë politikës.

Kur autoriteti matet me afërsinë ndaj pushtetit, nuk kemi më një elitë që e kontrollon pushtetin, por një rreth njerëzish që presin të njihen prej tij.

Elitat i vendosin kufij pushtetit. Në Shqipëri, duket se kemi përmbysur këtë marrëdhënie, pushteti përcakton kufijtë brenda të cilëve mund të veprojë elita.

Së gjashti, emigrimi ka marrë një pjesë të rëndësishme të kapitalit tonë njerëzor. Shqipëria ka humbur profesionistë, studiues, sipërmarrës, akademikë, artistë dhe njerëz me potencial për të ndërtuar institucione. Një pjesë e madhe e atyre që mund të kishin kontribuar në krijimin e një elite të re e kanë ndërtuar jetën dhe karrierën jashtë vendit.

Thënë këtë, ne nuk kemi humbur vetëm forcë pune. Kemi humbur edhe njerëz që mund të krijonin shkolla mendimi, institucione kërkimore, biznese inovative, organizata profesionale dhe modele të reja të përgjegjësisë publike.

Ndërkohë, që vazhdojmë të jetojnë një paradoks të rrezikshëm ndërsa diskutojmë se si t'i mbajmë të rinjtë në vend, në mungesë të mundësive u ofrojmë si model suksesi pikërisht ata që kanë arritur të largohen.

Së shtati, kemi krijuar një shoqëri që shpërblen dukjen më shumë se përmbajtjen. Në një mjedis ku suksesi matet me makinën, vilën, veshjen, pushimet dhe ekspozimin në rrjetet sociale, nuk krijohet elitë por "aristokracia e dukjes" ku rëndësi ka jo vetëm çfarë zotëron, por edhe sa njerëz e shohin atë që ke.

Shqipëria padyshim ka njerëz elitarë, sipërmarrës seriozë, intelektualë të përkushtuar dhe individë me integritet.

Problemi është se këta njerëz nuk janë shndërruar në një shtresë me peshë, autonomi dhe ndikim në jetën publike.

Ndoshta tranzicioni na mësoi si të bëhemi të pasur, por nuk arriti të na mësojë çfarë duhet të bëjmë me pasurinë. Kështu, krijuam shumë milionerë, disa aristokratë të vetëshpallur dhe një mungesë të theksuar elitash.

Shpërndaje te miqtë