Rama mbron PPP-të në shëndetësi si model suksesi

exit.al 6 Tetor 2020, 14:37

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur kontratat e Partneritetit Publik-Privat si të suksesshme dhe që i japin mundësi shtetit të bëjë investime dhe kur nuk ka para. Duke folur në një bashkëbisedim me gazetarët të martën, Rama tha:

“Partneritetet Publike-Private janë investime që ti i merr sot nga privati sepse nuk ke para ta bësh nga buxheti dhe i shlyen në kohë.

Ne nuk e kishim të mundur të bënim transformimin historik të materialeve dhe instrumentave mjekësore, dhe ndaj e dhamë me PPP.”

Rama theksoi si shembull suksesi dhënien e dializës me PPP:

“Dializën e bëjnë [pacientët] sot si njerëz të respektuar në kushte optimale dhe paguajnë aq sa paguanin më parë.”

Ai foli dhe për PPP-të e inceneratorëve dhe tha se ato kanë shpëtuar fëmijët e zonave nga sëmundjet, pa e sqaruar se ç’do të thotë kjo:

“Ofensivë plehu për inceneratorët, ndërkohë e vërteta ëshët se kemi shpëtuar fëmijët e zonave nga sëmundjet që i kanë ndjekur pas.”

Shpërndaje te miqtë