Rikthimi i beftë amerikan te lufta kundër korrupsionit qeveritar

Bledar Zaganjori 25 Nëntor 2026, 22:04

Rikthimi i beftë amerikan te lufta kundër korrupsionit qeveritar
Ambasadori amerikan ka dhënë dje një mesazh të qartë dhe të fortë politik për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes.

Qëndrimet e të paktën dy viteve të fundit të diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë ishin përqendruar vetëm në luftën ndaj karteleve të drogës dhe emigrimit të paligjshëm. Korrupsioni nuk kishte zënë vend në asnjë nga deklaratat publike të zyrtarëve amerikanë, si në Uashington, ashtu edhe në Tiranë.

Deri dje.

Në një fjalim në dukje rutinë, mbajtur të martën në fillim të një trajnimi për hetuesit dhe prokurorët e SPAK-ut, ambasadori amerikan Eric Wendt u kërkoi atyre të "ndiqnin paranë" për të zbuluar korrupsionin dhe për t'i nxjerrë para drejtësisë zyrtarët e lartë dhe eksponentët e krimit të organizuar.

Mesazhi përkoi me ditën kur gjykata vendosi fillimin e gjykimit ndaj Belinda Ballukut, ish-zëvendëskryeministres së akuzuar për korrupsion e pastrim parash.

Ambasada amerikane e bëri publik fjalimin duke e hedhur në rrjetet sociale të ambasadës dhe duke e shoqëruar, jo rastësisht, me një foto të ambasadorit me drejtuesin e SPAK-ut, Klodian Braho, dhe atë të BKH-së, Joni Keta.

Dje ishte hera e tretë brenda disa javësh që ambasadori amerikan vizitoi në mënyrë publike zyrat e SPAK-ut dhe BKH-së.

Në fjalën e tij, ambasadori u shpreh se aktiviteti i krimit të organizuar dhe veprimet korruptive të zyrtarëve shqiptarë kanë lënë gjurmë digjitale, pasi kriminelët dhe të korruptuarit tentojnë t'i fshehin paratë në sisteme financiare dhe kriptomonedha.

Ai u tha prokurorëve se provat e krimit dhe korrupsionit ndodhen në serverët amerikanë dhe mjafton që ata t'i kërkojnë dhe do t'u jepen.

Ambasadori nënkuptoi kështu se qeveria amerikane ka informacion për aktivitetin kriminal të qeveritarëve shqiptarë, për grupet e krimit të organizuar dhe për ndërlidhjen mes tyre. Por ajo që u kërkohet prokurorëve tani është që ata të veprojnë, dhe shpejt, për të luftuar aktivitetin dhe lidhjet mes krimit dhe politikanëve të korruptuar.

Madje, qëllimi i trajnimit të organizuar nga qeveria amerikane, ku foli ambasadori, është pikërisht të aftësojë hetuesit dhe prokurorët për veprimet që duhet të ndërmarrin.

Në këtë mënyrë pastrohet jo vetëm politika, por edhe ekonomia nga korrupsioni dhe përfshirja e krimit të organizuar, që kanë deformuar garën dhe konkurrencën e ndershme në treg.

Ambasadori e cilësoi mungesën e konkurrencës së ndershme në ekonomi një tjetër problem madhor. Kompanitë amerikane duan të vijnë në Shqipëri, tha ai, por largohen për shkak të korrupsionit. Kur një kompani amerikane merr pjesë në një tender, ajo nuk mund të konkurrojë ndershmërisht, sepse tenderët manipulohen dhe zyrtarët e lartë përfitojnë para prej tyre.

Mesazhet e bëra publike të ambasadorit duket se nuk ishin thjesht nxitje për hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët të mbledhin fakte dhe të dënojnë, por edhe një paralajmërim për qeverinë.

Në kushte normale, fjalët e ambasadorit Wendt nuk do të ishin lajm, pasi SPAK-u u krijua nga presioni amerikan dhe europian për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta.

Ato marrin një rëndësi të veçantë sepse e kthejnë fokusin amerikan te korrupsioni politik, në një kohë kur gjatë dy viteve të fundit mesazhet amerikane kanë qenë shumë diplomatike, në mos konfuze, në lidhje me prioritetin amerikan për luftën kundër korrupsionit.

Kjo është hera e parë që kur mori detyrën që ambasadori Wendt e përcakton qartë luftën kundër korrupsionit si prioritet të administratës amerikane.

Ndryshimi i narrativës publike është i dukshëm.

Pas takimit të parë me drejtuesin e SPAK-ut, Klodian Braho, më 5 tetor, njoftimi i ambasadës amerikane shprehej se lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm ishte "ndër përparësitë kryesore" të presidentit Donald Trump. Korrupsioni nuk u përmend fare.

Për ta kuptuar qëndrimin e ndryshuar amerikan, të paktën në aktivitetin publik, duhet parë jo vetëm çfarë thotë ambasadori, por edhe çfarë ka bërë që nga dita e ardhjes.

Çdo ambasador amerikan, kur merr detyrën, takon çdo ministër të qeverisë në vizita kortezie dhe prezantimi. Wendt ka zhvilluar takime të tilla vetëm me presidentin e Republikës, kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm. I vetmi ministër tjetër që ka vizituar është ai i Mbrojtjes, për shkak të interesave të qeverisë amerikane në këtë fushë.

Edhe pse prioriteti i deklaruar i tij ka qenë lufta ndaj karteleve të drogës, ai nuk ka zhvilluar asnjë takim me ministrin e Brendshëm, që ka për detyrë të luftojë krimin e organizuar dhe trafiqet e drogës.

Edhe me kryeministrin, veç takimit të kortezisë, nuk ka pasur ndonjë takim tjetër.

Në kontrast me këtë, ai ka bërë tri vizita publike në SPAK dhe të paktën një të katërt që nuk është raportuar nga mediat.

Pas ardhjes së administratës Trump, u duk se lufta ndaj korrupsionit mbeti në hije në raport me luftën ndaj krimit të organizuar dhe karteleve të drogës.

Ekspertët amerikanë që asistonin hetuesit e BKH-së dhe prokurorët e SPAK-ut madje u tërhoqën përkohësisht nga Shqipëria, pas shkurtimit të fondeve nga reforma e zvogëlimit të shpenzimeve qeveritare, e drejtuar nga Elon Musk.

Ndonëse ata u rikthyen disa javë më vonë, largimi bëri më shumë zhurmë publike. Kjo ndoshta ka qenë arsyeja pse kryeministri Rama u nxitua të pohonte se reformën në drejtësi e bëri ai dhe PS-ja, jo Amerika, e cila "iku".

Prandaj dalja e fundit e ambasadorit amerikan ka peshë. Ajo e rikthen në radhën e prioriteteve amerikane korrupsionin e zyrtarëve të lartë shqiptarë, lidhjet e politikës me krimin e organizuar dhe depërtimin e parave kriminale në sistemin financiar dhe në ekonomi, veçanërisht pastrimin e tyre përmes ndërtimit dhe investimeve të tjera në Shqipëri.

Fjalimi i ambasadorit nuk ishte një fjalim rutinë përpara disa hetuesve dhe prokurorëve, sado specialë të jenë ata. Ai ishte rikthimi edhe i amerikanëve te objektivi fillestar i reformës në drejtësi: goditja e korrupsionit në majën e piramidës së pushtetit.

Shpërndaje te miqtë