Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve kërkon shkarkimin e Ardi Veliut

exit.al 30 Maj 2020, 14:19

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, CRCA, ka kërkuar shkarkimin nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, pas skandalit me 15-vjeçarin dhe nënën e tij. Sipas CRCA-së, sjellja e Veliut është e pajustifikueshme dhe se ai duhet shkarkuar dhe duhet të kërkojë ndjesë publike:

“[...]Sikur të mos mjaftonte ngjarja e rëndë e 16 majit, [Veliu] mori përsipër të denigrojë publikisht, në shkelje të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, konventat ndërkombëtare dhe ligjet e vendit nënën që ka dalë publikisht në mbrojtje të fëmijës së saj.

[Veliu] ka vijuar të sulmojë online nënën e djalit duke sugjeruar se fëmija ka një prejardhje nga një familje e paedukuar dhe si i tillë duhej të ishte edhe reagimi i punonjësve të policisë së shtetit.”

Një ditë më parë, Veliu justifikoi dhunën e dy policëve mbi një 15-vjeçar duke pretenduar se djali vinte nga një familje problematike, ku e ëma mbante pistoletë. Për të vërtetuar këtë, Veliu tregoi një video ku shfaqej e ëma e 15 vjeçarit, që i drejtonte pistoletën një gruaje tjetër. Më vonë u zbulua se kjo video ishte pjesë e një filmi shqiptar, ku e ëma e 15 vjeçarit kishte aktruar.