“[…] ka një seri kitesh, janë rapid-test [teste të shpejta], ngjajnë me ato testet e shtatëzanisë dhe për 5-6 minuta merret përgjigjie. Ky test po shikohet me kujdes.”
Megjithatë Fico nuk saktësoi se në çfarë konsistonte shqyrtimi nga ISHP-ja dhe çfarë lloj testi bëhej fjalë konkretisht. Siç Exit News ka shpjeguar më parë, testi i zakonshëm për Covid-19 kryhet përmes analizimit të sekrecioneve të hundës ose gojës, sekrecione të cilat merren me tamponë dhe analizimi i tyre kërkon 12-24 orë. Në 1 muaj autoritetet shqiptare kanë kryer rreth 3200 teste për Covid-19 me një mesatare prej rreth 100 testesh në ditë. Nga ky numër kuptohet se pajisja GenExpert, për kitet e së cilës autoritetet shqiptare të shëndetësisë mund të furnizohen direkt në kompaninë amerikane, nuk po përdoret. Numri i vogël i testeve ka ngjallur debate të shumta duke përfshirë opozitën, qeverinë, Presidentin, por edhe Komitetin e ekspertëve, pjesë e së cilit është dhe drejtoresha e ISHP-së, Fico. Drejtoresha e ISHP-së tha se debati vijon në të gjitha vendet e tjera. Ajo përsëriti deklaratën e Komitetit te Ekspertëve se strategjia e testimeve nuk ka arsye pse të ndryshojë.“Gjatë kësaj periudhe, ky testim ka qenë i vlefshëm deri sa jemi duke folur. Askush që i është dashur apo që duhej të bënte testin nuk i ka munguar. Nuk mund të ndryshojmë gjëra me qejfra dhe të pa argumentuara”.
