Teatri Kombëtar nisi shfaqjet online në Facbook

exit.al 9 Prill 2020, 18:29

Nën moton “Show must go on” (Spektakli duhet të vazhdojë) trupa e aktorëve të Teatrit Kombëtar nisi të enjten videoshfaqjet në Facebook.

Nata e parë e një serie videoshfaqjesh artistike nisi në orën 19:00 me poezi dhe proza të Ismail Kadaresë.

Aktorët Indrit Çobani, Elia Zaharia Zogu dhe Genti Deçka interpretuan “Mall për Shqipërinë”, “Kinema e vejtër”, “Kitaristi”, “Portret i Lasgush Poradecit”, “Kristal” dhe “Në leksion”.

Kjo ishte nata e parë e 4 mbrëmjeve – deri të dielën – të programuara deri më tani për të vazhduar aktivitetin pavarësisht epidemisë.

Të premten, 10 prill, programi parashikon poezi dhe proza të Dritëro Agollit. Prej orës 19:00 aktorët Dritan Boriçi, Luli Bitri dhe Arben Derhemi do të interpretojnë “Turkesha”, “Pulëbardha”, “Guri dhe pellgu”, “Kali dhe gomari”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Poçari”, “Në vendin tim e në vendin tënd”, “Mundja e Lekë Dukagjinit”.

Të shtunën, 11 prill, program parashikon poezi dhe prozë nga autorë italianë. Prej orës 19:00 aktorët Ina Gjonçi, Anila Bisha dhe Donald Shehu do të interpretojnë poezi nga Cesare Pavese dhe Dino Buzzati.

Të dielën, 12 prill, ora 19:00, aktorja Olta Daku do të flasë për “Anatomia e një aktori”.

Për shkak të epidemisë së koronavirusit, qeveria ka ndaluar të gjitha aktivitetet ekonomike, kulturore, socale dhe sportive.