Këshilli i Lartë Gjyqësor
Në reformën e propozuar, institucionet, ndoshta, më të rëndësishme të të gjithë sistemit të drejtësisë do të jenë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), të cilët do zëvendësojnë Këshillin e Lartë aktual të Drejtësisë. Të dy institucionet do të kenë të njejtat kompetenca, respektivisht për sistemin e gjyqësorit dhe të prokurorisë. (Në këtë shpjegimin, për thjeshtësi do t'i referohemi vetëm KLGJ-së, por i njejti shpjegim vlen edhe për KLP-në, pasi ato janë konceptuar në mënyrë identike) KLGJ do të administrojë dhe kontrollojë funksionimin dhe karrierën në sistemin gjyqësor. Ndër të tjera, KLGJ:- do të emërojë të gjithë gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të gjithë vendit;
- do të propozojë anëtarët e Gjykatës së Lartë tek Presidenti, i cili mund të refuzojë emërimin e tyre vetëm në shumë pak raste të veçanta, por edhe atëhere KLGJ mund të ripropozojë të njejtën kadidaturë dhe Presidenti është i detyruar ta emërojë.
Mosmarrëveshja
Propozimi, në të tre draftet e deritanishme të reformës, ka qenë që 5 anëtarët jogjyqtarë të KLGJ-së të zgjidhen nga Kuvendi me 3/5 e votave, pra me miratimin e të paktën 84 deputetëve. Opozita e kundërshtoi këtë shumicë, pasi koalicioni aktual qeveritar i ka kaq deputetë, që do të thotë se ai mund të zgjedhë në mënyrë të njëanshme të gjithë anëtarët e KLGJ-së. Kundërpropozimi i opozitës, fillimisht, ishte që shumica miratuese të rritej në 2/3, pra në 94 vota, duke garantuar, praktisht, që anëtarët do të mund të zgjidhen vetëm me konsensus shumicë-opozitë. Por shumica nuk e pranoi këtë propozim (dhe nuk e ndryshoi qëndrimin e saj deri para një jave). Dy rekomandimet, i shumicës dhe opozitës, ju çuan për mendim Komisionit të Venecias. Komisioni pranoi që anëtarët e KLGJ-së duhet të zgjidhen me shumicë të kualifikuar (pra, më të madhe se shumica e thjeshtë 50 për qind plus një) dhe se nuk duhet të zgjidhen vetëm nga shumica parlamentare. Komisioni, edhe pse pranoi se varianti i opozitës me 2/3 mund të jetë një variant i mundshëm, u shpreh se mund të ketë variante të tjera të përshtatshme për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së që mund të konsiderohen. Por Komisioni i Venecias bëri një vërejtje shumë më të rëndësishme se sa komenti mbi përqindjen e përshtatshme për votimin. Komisioni theksoi se çfarëdo shumice e kualifikuar të zgjidhet, përfshi edhe 3/5 apo 2/3, në praktikë mund të ndodhë që shumica mund të mos arrihet dhe procesi i zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së të bllokohet. Për këtë arsye, Komisioni sugjeroi që duhet të parashikohet një mekanizëm zhbllokues për rastet kur Kuvendi nuk arrin shumicën e nevojshme, cilado qoftë shumica që vendoset.Mekanizmi zhbllokues
Për të shmangur këtë bllokim të mundshëm, ekspertët e huaj propozuan procedurën e mëposhtme, e cila ruan shumicën 3/5:- 5 anëtarët jogjyqtarë të KLGJ-së zgjidhen sipas këtij përfaqësimi: një anëtar nga rradhët e avokatëve, një anëtar nga rradhët e noterevë, një anëtar nga rradhët e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar nga rradhët e pedagogëve jogjyqtarë të Shkollës së Magjistraturës dhe një anëtar nga shoqëria civile.
- Për çdo vend anëtari, grupimet e mësipërme i çojnë tre propozime Këshillit të Lartë të Emërimeve. (KLE është një tjetër mekanizëm i propozuar nga reforma, i cili ka kompetencë kryesore propozimin e kandidaturave për emërime në sistemin e drejtësisë. Këshilli i Emërimeve përbëhet nga 9 anëtarë, secili shërben vetëm për një vit, të cilët zgjidhen çdo vit me short mes gjyqtarëve dhe prokurorve të të gjitha shkallëve).
- Pasi merr propozimet, KLE verifikon përputhshmërinë e kandidaturave më kriteret dhe bën vlerësimin e tyre duke i renditur (nuk përcaktohet se mbi çfarë kriteresh bëhet renditja).
- Propozimet e renditura (tre për çdo anëtar) i dërgohen Kuvendit, i cili i miraton në votime të veçanta brenda secilit grup, pra një votim bëhet për të zgjedhur anëtarin përfaqësues të avokatëve nga tre kandidaturat e propozuara nga shoqata e avokatëve dhe kështu nga një votim i veçantë për zgjedhjen e katër anëtarëve të tjerë.
- Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një anëtar atëherë procedura përsëritet bazuar mbi propozime të reja me të njëjtën procedurë.
- Në rast se as këtë herë nuk arrihet shumica e 3/5 atëhere kandidati i renditur më lart në renditjen e KLE-së konsiderohet i emëruar.
Mosdakordësia e re dhe propozimet e fundit
Partia Demokratike e kundërshtoi propozimin e mësipërm. Në këndvështrimin e saj, lënia e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së në dorë të KLE-së do të thotë, praktikisht, t'i lesh në dorë të qeverisë: edhe sikur KLE, vetë, të jetë e pandikuar dhe objektive, në fund të fundit, ajo do të rendisë propozimet që do t'i vinë nga shoqata e avokatëve, shoqata e noterëve, pedagogët e drejtësisë të universiteteve të akredituara, Shkolla e Magjistraturës dhe shoqëria civile. PD mendon, jo pa arsye, se të gjitha këto shoqata apo institucione janë të ndikueshme apo kontrollueshme nga qeveria, e cila mund të ndikojë kështu kandidaturat dhe, për rrjedhojë, emërimet e anëtarëve të KLGJ-së. Sipas pretendimeve të PD-së, për të zgjidhur situatën, grupi i ekspertëve të OPDAT-it—misioni i asistencës amerikane në fushën e drejtësisë—i propozi PD-së disa variante të tjera për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së. Ajo që është e sigurtë është se PD zgjodhi (apo propozi vetë) një prej këtyre propozimeve, të ashtuquajturën formulë të "vendeve të rezervuara", sipas së cilës 5 anëtarët jogjyqtarë të KLD-së zgjidhen si më poshtë:dy anëtarë të zgjidhen nga shumica parlamentare, dy nga opozita dhe i pesti me votim 3/5 nga Kuvendi me propozim të shoqërisë civile.
Një linjë e tillë (pa hyrë në detaje) ishte sugjeruar më herët si zgjidhje e mundshme edhe nga Komisioni i Venecias. Ky propozim i OPDAT-it (apo i vetë PD-së), i zgjedhur nga PD nuk u pranua nga PS. Ndoshta për të shmangur përgjegjësinë për mos dhënien e konsensusit, Kryeministri Rama bëri një lëvizje të zgjuar taktike. Në mënyrë të papritur, pasi kishte ftuar dhe rënë dakord për t'u takuar me Kryetarin e PD-së Lulzim Basha, Kryeministri Rama deklaroi në një takim publik se ai kishte vendosur të pranonte kërkesën e PD-së për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së me 2/3 e votave të Kuvendit nga 3/5 sikurse ishte parashikaur deri atëherë. Qëndrimi i ri i Kryeministrit, i pompuar gjërësisht në media, tingëlloi në publik qartasi si një lëshim i rëndësishëm i tij për të mundësuar konsensus, aq më tepër që të gjithë mbanin mend se opozita e kishte kërkuar këtë gjë muaj më parë. Ajo që Kryeministri nuk përmendi dhe që publiku nuk dinte, ishte se kjo kërkesë tashmë ishte kapërxyer, dhe si PD-ja edhe ekspertët e huaj kishin pranuar (apo propozuar) një mekanizëm krejt tjetër për zgjedhjen e anëtareve, atë të "vendeve të rezervuara". Nga ana tjetër, edhe pse në dukje “lëshimi” i Kryeministrit Rama u kuptua në publik se ai i dha opozitës të drejtën e vetos për zgjidhjen e anëtarëve të KLGJ-së, praktikisht nëse PD do të ushtrojë këtë veto, zgjedhja e anëtarëve të KLGJ-së nuk bëhet më nga Kuvendi, pra me konsensusin pozitë-opozitë, por nga Këshilli i Lartë i Emërimeve, vendimi i të cilit ka shumë gjasa të ndikohet, indirekt, nga qeveria, sikurse u shpjegua më sipër.Takimi Rama-Basha
Në takimin e të hënës palët shkuan pikërisht me dy propozimet e kundërta të përshkruara më sipër:- PS me propozimin e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së me 2/3 e Kuvendit dhe në rast të mos arritjes së shumicës, zgjedhjes nga Këshilli i Lartë i Emërimeve (me vlerësim profesional);
- PD me propozimin që anëtarët të zgjidhen dy nga shumica, dy nga pakica dhe një me votim 3/5 të Kuvendit me propozim nga shoqëria civile.
