PD denoncon votimin e shumëfishtë në Elbasan

exit.al 28 Maj 2021, 13:46

Partia Demokratike, përmes përfaqësuesit të saj ligjor Marash Logu, ka denoncuar në seancën e së premtes pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve dyshimet për votimin e shumëfishtë në qarkun e Elbasanit.

Sipas tij, ky përbënte vetëm një prej argumenteve për shpalljen të pavlefshme dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark.

"Shenjat e gishtërinjve e 47 personave, janë përdorur për identifikimin e 312 zgjedhësve, çka do të thotë ka dyshim që një person ka votuar shtatë herë për person, kjo cënon procesin zgjedhor,” u shpreh Logu.

Argumentet e tjera që ka paraqitur Partia Demokratike janë:

- Blerja e votave: PD ka bërë dy kallëzime penale në SPAK dhe akuzon shtetasit Taulant Balla, Saimir Hasalla, Besion Ajazi dhe Santila Tahiraj, Gjergj Luca, përfaqësues të PS-së, për blerje të votave me një çmim që varion nga 100-300 €;

- Abuzim me tenderat: Shtetas me rekorde kriminale, kanë përfituar tendera publike me vlerë miliona euro, të cilat më pas i kanë përdorur në funksion të zgjedhjeve;

- Fushata e PS u financua nga buxheti i shtetit: Zyrtar të lartë të PS u shfaqën në aktivitete publike, duke shpërndarë leje legalizimi në këmbim të votës;

- Raste të votimit të shumëfishtë dhe atij familiar.