Komisioni Hetimor voton unanimisht për shkarkimin e Metës

exit.al 28 Maj 2021, 14:53

Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Metës miratoi të premten unanimisht raportin për shkarkimin e tij.

Kryetari i Komisionit, Alket Hyseni u shpreh se presidenti përmes deklaratave, gjuhën e përdorur dhe paditë penale për vjedhjen e votave ka shkelur detyrimin kushtetues për paanshmëri politike.

Komisioni ka gjetur se Meta, gjatë fushës zgjedhore ka goditur një forcë politike në favor të një tjetre.

Ai kishte kërkuar ndryshimin e qeverisë me referendum popullor. Ai zgjodhi të ishte protagonist. Ai mbajti qendrim të ashpër kundër shumicës. Ka kryer aktivitet politik duke kërkuar rënien e qeverisë," tha Hyseni.

Komiteti administroi të gjitha deklaratat dhe daljet publike të Metës si dhe raportet e ekspertëve ligjor.

Ky komision u ngrit me kërkesë të 49 deputetëve socialistë, me justifikimin se Presidenti ka shkelur detyrimin e paanësisë të caktuar në Kushtetutë.

Kuvendi duhet të miratojë këtë raport me 94 vota për të vendosur shkarkimin e Presidentit.

Më pas, brenda 5 ditëve, ky vendim i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Është ajo që do të vendosi të shkarkojë ose jo, Presidentin Meta.