PD denoncon tenderin e respiratorëve: U blenë me 2-fishin e çmimit dhe ende nuk kanë ardhur

exit.al 24 Prill 2020, 12:12

Partia Demokratike vazhdoi sot me denoncimet e tenderave abuzivë të pajisjeve mjekësore.

Sot, më 24 prill, ish-deputetja Albana Vokshi publikoi dokumentet e tenderit për blerjen e respiratorëve me dyfishin e çmimit të tregut.

Në një deklaratë për shtyp, Vokshi tha se një respirator kushton normalisht 6 375 euro, por është blerë nga qeveria, përmes kompanisë TBS96, për 11 600 euro.

Përveç abuzimit me çmimin, kompania ka shkelur dhe kushtet e kontratës.

Kjo kompani fitoi tenderin për blerjen e 54 respiratorëve, të klasifikuar si sekret për të fshehur abuzimet, bazuar në vetëm një kusht: koha e lëvrimit të respiratorëve.

Pra sipas kontratës, kompania duhet të kishte sjellë 20 respiratorë 7 ditë pas nënshkrimit të kontratës, më 3 prill.

Por dokumentet tregojnë se kompania TBS96 ka sjellë deri më tani vetëm 5 respiratorë, në shkelje të kushteve të kontratës dhe ato ia ka shitur qeverisë me dyfishin e çmimit të tregut.

Sipas Vokshit, e vetmja arsye se përse qeveria nuk e anulon këtë tender dhe kontratën me kompaninë siç e parashikon ligji, është korrupsioni dhe përfitimi i zyrtarëve të lartë nga këto kontrata korruptive.

Disa ditë më parë, PD denoncoi dhe tenderin për blerjen e maskave dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse, ku një maskë është blerë nga qeveria me 2-fishin e çmimit real, ndërsa veshjet spitalore për mjekët u blenë me 3-fishin e çmimit real, si dhe tenderin për kitet për testimin e Covid-19,  të cilat qeveria i ka blerë me çmim 4 herë më të shtrenjtë se çmimi në treg.