Si u përhap Covid-19 në 24 orë: 9 të infektuar në Tiranë, preket sërish Mirdita

exit.al 24 Prill 2020, 11:39

15 pacientë të rinj me Covid-19 janë zbuluar në 24 orët e fundit.

Kjo është dita me më pak të infektuar që prej të hënës, 20 prill.

Po ashtu, sot është dita e parë që në Krujë, vatër e nxehtë e Covid-19 që prej 17 prillit, që nuk ka asnjë të infektuar të ri.

Të infektuarit e rinj janë:

  • 9 në Tiranë, duke e çuar totalin në 285,
  • 2 në Mirditë, duke e çuar totalin në 5,
  • 1 në Kurbin, duke e çuar totalin në 29,
  • 1 në Kukës, duke e çuar totalin në 12,
  • 1 në Has, duke e çuar totalin në 14,
  • 1 në Shkodër, duke e çuar totalin në 103.

Tiranë

Duket se në Tiranë nuk ka asnjë vatër të re infeksioni dhe 9 të infektuarit e rinj janë kontakte të pacientëve të mëparshëm.

Mirditë

2 të infektuarit e rinj në Mirditë janë një çift të moshuarish, prindërit e policit të burgut 313, të prekur nga virusi ditët e fundit.

Në Mirditë deri më 23 prill ka pasur vetëm 3 të infektuar, të tre të shëruar.

ISHP njoftoi më 22 prill se Mirdita, bashkë me 4 qytete të tjera, dolën nga harta e Covid-19 pasi të gjithë të infektuarit ishin shëruar.

Kukës

I infektuari i ri në Kukës është një polic, për të cilin ende nuk dihet se si mund të jetë infektuar. ISHP ka bërë testimet dhe për familjarët e kolegët e tij dhe është në pritje të rezultateve.

Nga 678 të infektuar në total, 394 ose sa 58 për qind janë shëruar, ndërsa 27 ose sa 4 për qind kanë humbugr jetën. Aktualisht në vend ka 257 të infektuar aktiv.