PD akuza qeverisë se po mbledh kartat e identitetit të mjekëve në Peshkopi

exit.al 6 Tetor 2020, 14:50

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se po mbledh kartat e identitetit të mjekëve në Peshkopi përpara fushatës. Në një deklaratë për mediat, Enkelejd Alibeaj u shpreh se me urdhër të drejtorit të spitalit të Peshkopisë Artan Bitri, stafit spitalor i janë mbledhur kartat e identitetit.

"Emisioni investigativ “STOP” ka sjellë fakte të pakundërshtueshme se krimi elektoral është kryer në spitalin e Peshkopisë. Me urdhër të drejtorit Artan Bitri, stafit spitalor i janë mbledhur kartat e identitetit. Arsyen tani e ka marrë vesh i madh dhe i vogël: duan të pengojnë njerëzit të votojnë në zgjedhje ose të devijojnë votën e tyre.

Skema e mbledhjes së kartave të identitetit, duke kërcënuar nënat, gratë, kryefamiljarët me bukën e fëmijëve është kriminale. Ajo ka për të dështuar. Njësoj siç dështoi në mënyrë spektakolare skema për ndryshimin e qendrave të votimit të mijëra e mijëra votuesve në të gjithë vendin, pas denoncimit në emisionin tjetër investigativ “Boom”. "

Alibeaj deklaroi se në këtë skemë është përfshirë dhe vëllai i kryetarit të komisionit të ligjeve, Ulsi Manjës, duke theksuar se PD do të kallëzojë të dy personat në Prokurori. Shpërndaje te miqtë