Ndërprerje energjie në Durrës si pasojë e përmbytjes

exit.al 8 Janar 2021, 18:09

Zona e Plazhit në Durrës ka mbetur pa energji elektrike, të premten, si pasojë e përmbytjeve. Kreu i OSHEE-së Plator Mehmeti, në një intervistë për Report Tv, tha se situata është delikate në Durrës. Mehmeti njoftoi se janë 3 kabina elektrike pa energji elektrike që nga dita e enjte. Si pasojë e kësaj ndërprerjeje, 3 pallate kanë mbetur pa energji elektrike prej dy ditësh tashmë. Ai tha se po bëhen përpjekje për të ndërhyrë por shtoi se situata është e vështirë. Gjatë intervistës Mehmeti tha:

“Specialistët janë në terren dhe po tentojnë që të provojmë dhe njëherë. Rajoni i jonë mund të mbulojë Rrogozhinën deri në Krujë. Është me investime më të shumta. Niveli i ujit shumë i lartë, po punojmë.”

Bashkia e Durrësit ka njoftuar se për shkak të daljes nga shtrati të lumenjve Erzen e Ishëm, duke mbushur tej kapacitetit kanalet kulluese, janë përmbytur toka bujqësore, banesa, rrugë e biznese. Në njësinë Administrative nr. 6 rreth 15 banesa që ndodhen nën nivelin e rrugës ka depërtuar uji, njoftoi Bashkia e Durrësit. Shpërndaje te miqtë