Dje as në shesh, sot as në rrugë: Nga Berisha te Rama, si u ngushtua hapësira e protestës në Shqipëri

Bledar Zaganjori 19 Nëntor 2026, 15:15

Dje as në shesh, sot as në rrugë: Nga Berisha te Rama, si u

Nga viti 1992 deri në vitin 1997, Partia Socialiste nuk mund të zhvillonte asnjë miting zgjedhor, festiv apo manifestim tjetër në sheshin Skënderbej dhe sheshet e tjera në qendër të Tiranës.

Policia nuk i jepte leje dhe socialistët përfundonin thuajse gjithmonë te fusha e sportit në lagjen Ali Demi, te Pallati i Sportit "Asllan Rusi" apo te Stadiumi "Selman Stërmasi".

Sheshi Skënderbej dhe e gjithë qendra e Tiranës shfrytëzoheshin vetëm nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike në pushtet.

Berisha në atë kohë ishte president i vendit, por ai kontrollonte personalisht qeverinë dhe institucionet. Agim Shehu, drejtori i Policisë i asaj kohe, merrte urdhra vetëm nga ai dhe jo nga ministri i Brendshëm.

Edhe kur socialistët tentuan të protestonin në sheshin Skënderbej për vjedhjen e zgjedhjeve të 26 majit 1996, Agim Shehu u shfaq vetë në shesh, duke drejtuar policinë për të rrahur dhe arrestuar opozitarët e atëhershëm.

SHIK-u i Bashkim Gazidedes, që ishte kthyer atë kohë në një polici sekrete kundër kundërshtarëve politikë, rrëmbeu në masë qytetarë, politikanë dhe gazetarë.

28 maji i vitit 1996 mbahet mend si një nga ditët e errëta të tranzicionit shqiptar.

Ajo ditë, për ata që e kanë jetuar, mbahet mend për gjakosjen e Servet Pëllumbit, kokën e enjtur nga druri të Blendi Gonxhes, dhëmbët e thyer të Arben Imamit dhe gazetarin Bardhok Lala, i cili u rrah dhe u la gati i vdekur diku pranë Liqenit Artificial.

Sot, pas 30 vitesh, Shqipëria ndodhet në një situatë të ngjashme sa i takon kufizimeve dhe represionit ndaj të drejtës për të manifestuar e protestuar.

Njësoj si atëherë, edhe sot, protestuesi që del kundër qeverisë dhunohet.

Sikurse Berisha urdhëronte Agim Shehun, sot kryeministri Rama ka urdhëruar policinë që të mos lejojë asnjë formë proteste, as në bulevard dhe as në trotuarin përballë zyrës së tij.

Policia gjobit dhe ushtron dhunë mbi këdo dhe, sipas denoncimeve të aktivistëve dhe partive politike opozitare, ajo i rreh protestuesit edhe brenda komisariateve të policisë.

Sali Berisha i shihte mitingjet e PS-së në qendër të Tiranës si sfidë ndaj tij, edhe kur ai ishte i fortë dhe i mbështetur gjerësisht. Ai përdorte një ligj sipas të cilit organizatorët duhet të kërkonin leje në polici për zhvillimin e një tubimi.

Natyrisht, policia nuk i jepte leje PS-së, por i sugjeronte që t’i zhvillonin mitingjet në Ali Demi apo te Pallati i Sportit.

Sot, Edi Rama i sheh protestat si kërcënim për pushtetin në momentin më të vështirë të tij.

Pas protestave të dhunshme të tetorit, ai është i vendosur të mos lejojë asnjë formë rezistence dhe kundërshtimi.

Dhe për këtë ai bëri një ligj që ia kaloi edhe ligjit të Berishës të vitit 1996, i cili nuk lejon jo vetëm mitingje e protesta pa lejen e policisë, por i jep policisë atributin për të ndëshkuar rëndë edhe ata që protestojnë paqësisht.

Atyre nuk u lejohet të protestojnë përpara godinave qeveritare, institucioneve arsimore, shëndetësore, stacioneve të autobusëve – madje edhe pranë stacionit të trenit – dhe çdo ndërtese tjetër publike.

Ata nuk lejohen të dalin në bulevardin përpara zyrës së Ramës, sepse gjobiten apo dhunohen nga policia me argumentin se bllokojnë rrugën. Së fundmi, nuk lejohen të qëndrojnë as në trotuar, sepse, sipas policisë, pengojnë kalimtarët.

Dikur nuk lejoheshin në shesh. Sot nuk lejohen as në rrugë.

Madje, tani edhe trotuari nuk është më hapësirë e sigurt për protestë.

Praktikisht, protestuesit me ligjet e shtetit shqiptar sot nuk lejohen më të dalin në protestë.

Ata nuk duhet të dalin as nga shtëpia.

Kaq mjafton për gjithë pushtetin. Të rrinë në shtëpi, të heshtin dhe të mos e shqetësojnë më qeverinë.

Shpërndaje te miqtë