Manastirliu paralajmëron rritje të infektimeve me Covid-19

exit.al 6 Tetor 2020, 15:15

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu paralajmëroi rritje të numrit të të infektuarve me hapjen e ambienteve të mbyllura. Gjatë fjalës në Komisionin e Shëndetësisë, Manastirliu tha:

"Ka një prirje të rritjes së numrit të rasteve sepse ambientet mbyllura, ato kanë efekt në perhapjen e virusit. Duhet të respektojmë rregullat."

Me ardhjen e vjeshtës dhe shtimin e numrit të të infektuarve, ministrja tha se do të rriten testimet dhe kapacitetet në spitalet Covid. Ajo tha se në një skenar ku rritet shumë numri i pacientëve që kanë nevojë për kurim mund të përdoren si spitale Covid dhe spitalet rajonale të Gjirokastrës e Dibrës:

“Në skenarët tanë kemi një shtim të kapacitetit të shtretërve në rast të rritjes së numrit të pacientëve. Në skenarin e tretë shtohen edhe spitalete Gjirokastrës dhe të Dibrës.

Kemi rritur nga muaji qershor, në 24 mijë testime të realizuara gjatë muajit tetor dhe do të vijojmë me rritjen e testimeve. Jemi të gatshëm të vijojmë rritjen e grupeve nëse do të ketë rritje të rasteve.”

Shpërndaje te miqtë