Lëvizja Vetëvendosje: Transparencë përse Behgjet Pacolli shmangu karantinimin në Tiranë

exit.al 29 Prill 2020, 13:25

Boiken Abazi, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë transparencë lidhur me karantinimin në Tiranë të Behgjet Pacollit, kreut të Aleancës Kosova e Re. Behgjet Pacolli ka mbërritur në Tiranë mbrëmjen e 28 prillit nga Zvicra. Fillimisht, ai ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të lejohet të fluturojë me avionin e tij privat dhe më pas të shmangë karantinimin 14 ditor në ndërtesën e përcaktuar nga qeveria. Qeveria e Kosovës i ka dhënë leje Pacollit të fluturojë me avion privat por jo të shmangë karantinimin, protokoll ky i rekomanduar nga OBSH dhe i aplikuar nga çdo shtet për çdo qytetar që vjen nga jashtë. Pas këtij vendimi të qeverisë Kurti, Pacolli ka vendosur të fluturojë nga Zvicra për në Shqipëri. Këshilltari i tij, Naim Murseli, ka konfirmuar se Pacolli ndodhet në Tiranë, në apartamentin e tij dhe jo në hotelet e vendosura nga qeveria për karantinim. Ministria shqiptare e Shëndetësisë nuk ka bërë asnjë koment apo sqarim se përse Pacolli nuk është karantinuar si gjithë të kthyerit e tjerë. Përfaqësuesi i LVV-së në Tiranë Abazi i kërkon ministrisë të sqarojë ngjarjen dhe arsyet përse po aplikohen standarde të dyfishta për ata që kthehen nga jashtë:

“Pse vendosen standarde të dyfishta për riatdhesimet? Pse qytetarë, që nuk janë multimilionerë si Pacolli, lihen me ditë nën qiell të hapur në mes të kufirit Shqipëri-Greqi, ndërsa multimilionerët si Pacolli lejohen të ulen me avion privat në Rinas pa asnjë transparencë dhe shpjegim.

Autoritetet e Shqipërisë, duhet ta bëjnë menjëherë transparente zyrtarisht nëse Pacolli gjendet ende ne territorin e Republikës së Shqipërisë, duke treguar edhe për masat e karantinimit ndaj tij, në emër të shëndetit publik!”