Kërcënohet prokurori i çështjes së policit Arben Bilali

exit.al 22 Janar 2021, 13:05

Prokurori i Tiranës, Bajram Breçani është kërcënuar të premten nga bashkëshortja e policit të vrarë, Arben Bilali.

Sipas mediave, prokurori Breçani është kërcënuar nga bashkëshortja e Bilalit në një lokal pranë shkollës Harry Fultz.

Gruaja me inicialet M.B punon si oficere në policinë e shtetit. I kontaktuar nga Top Channel, prokurori Breçani u shpreh:

”Kam njoftuar drejtuesit e policisë së shtetit Ardi Veliu, dhe zyrtarë të tjerë në lidhje me ngjarjen e ndodhur dhe pres prej tyre reagim ligjor. U kërcënova për shkak të detyrës dhe kjo është hera e tretë, për një çështje për të cilën vendimarrja ka qenë tërësisht e gjykatës.”

Në tetor 2020, Gjykata e Tiranës pushoi çështjen për Gjergj Cukalin, i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-policit Arben Bilali.

Vendimi u mor pasi më parë prokuroria e Tiranës kishte pushuar hetimet për ngjarjen dhe kërkoi nga gjykata pushimin e çështjes.

Avokatët e Cukalit, i njohur si i forti i ‘Myslym Shyrit’, kanë argumentuar se prova kryesore që kishte gjykata, ADN-ja e Cukalit në vendngjarje, është marrë nga Policia Gjyqësore në kundërshtim me ligjin. Për këtë arsye ata deklaruan se AND-ja është e papërdorshme.

Gjergj Cukali, gjatë viteve të fundit, është shoqëruar, proceduar dhe arrestuar disa herë nga Policia e Tiranës për vepra të ndryshme penale si ‘rrëmbim personi’, ‘trafik droge’, ‘armëmbajtje pa leje’.

Shpërndaje te miqtë