Dhuna ndaj grave, diskutohet sot në kuvend rezoluta e PD

exit.al 4 Dhjetor 2017, 12:50

Në kuadër të ditëve ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, kuvendi do të diskutojë sot rezolutën e deputetes demokrate Albana Vokshi për marrjen e masave për parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni. Deputetja Vokshi, nismëtare dhe një prej 10 deputetëve që kanë firmosur rezolutën, shprehet se është e nevojshme  që qeveria të reagojë:

“Këto janë ditët, kur ne nuk duhet të heshtim, por të reagojmë kundër dhunës qeveritare, që fillon nga Kryeministri edhe përhapet si epidemi në të gjitha format e saj në çdo institucion.

Qeveria s’ka ndërtuar asnjë mekanizëm efikas për parandalimin e dhunës në familje. Nevojitet mbikëqyrje e fortë parlamentare dhe trajtim të denoncimeve për dhunën në familje.”

Deputetja demokrate thekson se “nëpërmjet propagandës qeveria po tenton të mbulojë dështimin spektakolar të saj për të mbrojtur gratë e fëmijët, pa kërkuar ndjesë se në 4 vite qeverisje nuk arritën të mbrojnë asnjë viktimë të dhunës në familje, një prej tyre edhe gjykatëse”. Disa nga masat e propozuara nga Zonja Vokshi janë:

 - Mbikëqyrje e fortë parlamentare dhe trajtim të denoncimeve për dhunën në familje;

 - Brenda 15 ditëve Kuvendi të krijojë Komision të Posaçëm për trajtimin ligjor të fenomenit;

 - Brenda 60 ditëve qeveria të bëjë analizën dhe të krijojë regjistrin kombëtar për dhunën në familje;

 - Përcaktim me ligj të një strukture të vetme përgjegjëse me qëllim parandalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së viktimave;

 - Përjashtim me ligj nga amnistia dhe nga rrethanat lehtësuese gjatë gjykimit për krimet në familje;

 - Rishikim për masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje për moslejimin e bashkëjetesës në një mjedis të dhunuesit dhe viktimës.

  Shpërndaje te miqtë