Megjithëse duket si një nismë ligjore që lidhet me situatën e ditëve të fundit, sigurimi i detyrueshëm i pronës dhe biznesit nuk është diçka e re. Në shtator të vitit 2017, Autoriteti i Monitorimit Financiar i drejtuar nga ish-deputeti socialist Ervin Koçi, dha lajmin se qeveria ka pregatitur një projekt-ligj për të bërë të detyrueshëm sigurimin e pronës nga rreziqet natyrore dhe se projekligji i përfunduar po diskutohej me Bankën Botërore. Projektligji përfshinte sigurimin e pronës nga rreziqet natyrore si tërmetet dhe përmbytjet. Nëse projekti bëhet realitet, çdo pronar duhet të paguajë të paktën 7 mijë lekë (50 euro) për sigurimin vjetor të pronave, përveç taksave lokale mbi to. Megjithatë siç ka treguar dhe tregu i sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, pas sanksionimit me ligj, çmimi mund të rritet në rast se kompanitë e sigurimit bien dakord mes tyre. Kjo nismë e qeverisë, që në tetor, u kundërshtua nga studiues e ekonomistë. Zef Preç, ekspert i ekonomisë, gjatë një interviste për Tv Klan në muajin tetor, tha se nisma e qeverisë “është një taksë e re për qytetarët dhe favorizim i disa kompanive”.“Jemi i vetmi vend që nuk e ka këtë detyrim me ligj në një kohë kur buxheti i shtetit nuk është në gjendje të dëmshpërblejë.”
“Në vend që qeveria të bëjë për 5-10 vjet zhvendosje të popullsisë, synon të vërë një taksë të re që varfëron më tej qytetarët. Synohet thjeshtë të shtohen të ardhurat e kompanive, duke marrë parasysh risqet se sa ndodhin tërmetet e përmbytjet.”Në kundërshtim me pretendimin e Kryeministrit Rama se “jemi i vetmi vend në botë që se kemi sigurimin e banesave të detyrueshëm”, Zoti Preçi shprehet:
“Edhe në zonat më problematike, sigurimi është vullnetar. Edhe në ato vende që është bërë [i detyrueshëm] vetëm 10 për qind është mbledhur.]”Pyetur nëse sigurimi i detyrueshëm është zgjidhje e dëmshpërblimeve të familjeve që përmbyten, Zoti Preçi shpjegoi se kompanitë e sigurimeve kanë ende borxhe të papagura ndaj qytetarëve për sigurimin e automjeteve:
“Janë 10 milionë Euro të papaguara që nga 2002 nga kompanitë.”Shpërndaje te miqtë
