Çuçi: Mbrojtja nga Garda, kërkesë e ambasadorit Soreca

exit.al 28 Qershor 2021, 14:18

Vendimi i qeverisë për t’i dhënë mbrojtje nga Garda ambasadorit të BE, Luigi Soreca, ka ardhur pas kërkesës së këtij të fundit.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e pohoi këtë gjatë një konference për shtyp pa dhënë arsyet e kërkesës së Sorecës.

“Në rastin konkret ka qenë një kërkesë e ambasadorit Soreca dhe ne vendosëm rritjen e nivelit të sigurisë për të. Pse ka ndodhur kjo mund të pyesni ambasadorin Soreca pse ka pasur nevojë të rrisë mbrojtjen e tij”, tha Çuçi.

Qeveria vendosi javën e kaluar që ambasadori i BE të ruhet nga Garda e Republikës, ndërsa vendimi është botuar në Fletoren zyrtare.