Bosnje-Hercegovina vend të rëndësishëm në politikën ruse

exit.al 18 Maj 2021, 19:10

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin,  u shpreh të martën se marrëdhëniet me Bosnje - Hercegovinën zënë një vend të rëndësishëm në politikën ruse në Ballkan.

“Si një garantuese e Traktatit të Paqes, 25 vjet më parë, Rusia mbështet respektimin e palëkundur të parimeve të Marrëveshjes së Dejtonit, në lidhje me sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tuaj”, u shpreh Putin në një ceremoni të akreditimit të ambasadorëve të huaj në Moskë, sipas Radio Evropa e Lirë.

Putin shtoi se Rusia është “e angazhuar në promovimin e marrëdhënieve dypalëshe me Bosnjën, në fushën e tregtisë, ekonomisë, kulturës, si dhe në sferën humanitare”.

Me Marrëveshjen e Dejtonit i është dhënë fund luftës në Bosnje, në vitin 1995.

Përveç palëve luftuese - serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve - marrëveshjen e kanë nënshkruar edhe SHBA-ja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Rusia dhe BE-ja.

Me Marrëveshjen e Dejtonit, Bosnja është ndarë në dy entitete: Federata Myslimane-Kroate dhe Republika Sërpska.