Basha: Shembja e Teatrit Kombëtar, akt lufte

exit.al 15 Maj 2020, 11:19

Kreu i PD-së Lulzim Basha e quajti vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar ‘vjedhjen më të dhunshme që Rama po i bën qytetarëve’. Duke ndarë në Twitter mesazhin e organizatës Europa Nostra që kundërshton shembjen e teatrit, Basha theksoi se:

‘Grabitja e TK në mes të pandemisë është akt lufte ndaj shoqërisë dhe ekonomisë që po rrënohen nga Ramavirusi: varfëri masive, krizë e thellë, papunësi e lartë, institucione të kapura dhe korrupsion rekord’.

Basha kaloi natën me artistët dhe qytetarë në oborrin e Teatrit Kombëtar, në shenjë proteste kundër prishjes së tij. Opozita e bashkuar është shprehur e vendosur për të mbështetur artistët deri në fund dhe për të mos lejuar shembjen e teatrit. Mbrëmjen e 14 majit, Këshilli Bashkiak miratoi në mënyrë të fshehtë dhe në shkelje të procedurave vendimin për shembjen e teatrit. Exit News ka argumentuar se ky është një vendim në shkelje të ligjit.