Basha akuza Ramës: Nuk heq dot përgjegjësitë për keqmenaxhimin duke urdhëruar mbatjen e maskës

exit.al 15 Tetor 2020, 12:41

Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se nuk ka marrë asnjë masë për të menaxhuar pandeminë e Covid-19, që pritet të përkeqësohet me ardhjen e dimrit. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha tha se Rama kërkon të largojë përgjegjësinë që ka vetëm me urdhërin për mbajtjen e maskave:

“Me urdhëra për të vënë maska dhe larë duart, duan të lajnë duart nesër kur infeksioni të shkaktojë më shumë viktima.”

Ai theksoi se përgjegjësia e qeverisë është që të ndihmojnë njerëzit pa ardhur më e keqja dhe jo të thotë ‘ju thamë të mbani maskën’. Basha i bëri thirrje Ramës të nisë sa më parë zbatimin e planit të tij me pesë pika që përfshin ndërhyrje në shëndetësi e ekonomi, ku disa prej masave më emergjente janë:

-Të rrisë numrin e testimeve në të paktën 2500 testime në ditë;

-Të rimbursojë plotësisht marrjen e mjekimit ambulator kundër Covid-19;

-Të japë bonuse 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm;

-Të testojë periodikisht mësuesit në të gjitha shkollat;

-Të japë  një çek me 1000 Eurosh për biznesin e vogël;

-Të japë 2000 lekë në muaj për pensionistët për përballimin e kostove shtesë të pandemisë.

Shpërndaje te miqtë