Balla i përgjigjet kryeprokurorit: Policia ka zbardhur të gjitha krimet në Elbasan

exit.al 10 Tetor 2020, 17:00

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla i ka kthyer përgjigje kryeprokurorit Olsian Çela, i cili disa ditë më parë shprehu shqetësimin se bandat kanë marrë kontrollin e Elbasanit dhe se siguria publike nuk po sigurohet në këtë qytet. Të shtunën, Balla deklaroi se të gjitha krimet e muajve të fundit në Elbasan janë zbardhur nga policia dhe autorët e tyre janë arrestuar:

“Brenda këtyre 2 muajve janë zbuluar disa, ose le ë themi të gjitha aktet kriminale të ndodhura janë zbuluar, pra janë identifikuar autorët. E nxis policinë e Elbasanit të vazhdojë me këtë ritëm.”

Balla tha se në Elbasan nuk ka të paprekshëm dhe se ‘të gjithë do të goditen me dajakun që i jep ligji’. Pak ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi se qyteti i Elbasanit po kontrollohet nga bandat të cilat sipas tij e kanë kthyer këtë qytet në luftë për kontroll territoresh. Duke shprehur shqetësimin për situatën e krimit në qytet, Çela tha se përgjigja ndaj kësaj situate duhet të jetë e shpejtë pasi situata është e jashtëzakonshme dhe vë në rrezik jetën e qytetarëve.   Shpërndaje te miqtë