Zgjedhjet në Itali, kryeson M5S por asnjë parti nuk formon qeverinë

exit.al 5 Mars 2018, 11:32

Italia pritet të ndeshet me një periudhë paqëndrueshmërie politike, pasi votuesit më 4 mars nuk i kanë dhënë asnjë partie të drejtën për të formuar qeverinë.

Me më shumë se gjysmën e votave të numëruara, partia Movimento 5 Stelle renditet në vend të parë me rreth 31 për qind.

Në vend të dytë renditet Partia Demokratike e Matteo Renzit me 18,7 për qind, por partitë e tjera të koalicionit të qendrës së majtë nuk kanë mundur të fitojnë shumë vota duke e renditur koalicionin në vend të tretë.

Në vend të tretë, duke shënuar një kthesë në politikën italiane, renditet një tjetër parti jotradicionale italiane Lega (ish-Lega Nord) e Mateo Salvinit me 17,5 për qind. Forza Italia e Berluskonit, në të njëjtin koalicion me Legan, renditet në vend të katërt me 14,2 për qind të votave.

Në bazë koalicionesh renditja është: Partitë e Qendrës së Djathtë 37,64 për qind; Movimento 5 Stelle 31 për qind; Partitë e Qendrës së Majtë 23,61 për qind.

Megjithëse kanë mbetur ende vota pa numëruar, duket e vështirë për ndonjë prej koalicioneve që të formojë qeveri i vetëm.

Vota e 4 marsit u përshkrua nga analistët si votë kundër partive tradicionale, në mbështetje të partive kundër BE-së dhe politikave pro-evropiane.

Media italiane e ka krahasuar votimin masiv për M5S si vota pro Trump në SHBA apo vota pro Brexit.

Shpërndaje te miqtë