Zaev e quan mos hapjen e negociatave dështim të BE-së

exit.al 23 Qershor 2021, 14:40

Kryeministri maqedonas, në një konferencë për shtyp gjatë Forumit Ekonomik në Shkup, deklaroi se mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një dështim i politikës së BE-së.

"Vendimi i BE-së është një dëshpërim i madh për ne, por edhe një mossukses i politikës së Bashkimit Evropian " u shpreh Zaev.

Zaev e cilësoi vendimin, të kushtëzuar nga vetoja e Bullgarisë, veçanërisht të padrejtë ndaj Shqipërisë.

"Kur Europa të jetë gati ne jemi  gati. Vendimi është shumë i pandershëm për të dyja vendet, por mbi të gjitha është shumë i pandershëm për Shqipërinë", tha ai.

Zaev paralajmëroi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të angazhoheshin më shumë për t'u afruar me njëra-tjetrën.

"Popujt dhe qeveritë tona, në mes të Ballkanit, demonstrojnë vlera evropiane. Ne me shpejtësi të madhe kemi nisur mënjanimin e barrierave dhe pengesave mes nesh. Kemi sfida të përbashkëta dhe kultura të përbashkëta," përfundoi ai.