Vuçiç sqaron deklaratat e tij: Askush nuk do konflikt të armatosur me Kosovën

exit.al 13 Nëntor 2020, 13:22

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi të premten, se deklarata e tij për Kosovën dhe një konflikt të mundshëm të armatosur është keqkuptuar. Sipas B92, Vuçiç ka sqaruar se konflikti i armatosur Kosovë-Serbi nuk është i dëshirueshëm për asnjërën palë dhe duhet të shmanget me çdo kusht:

“Ata kanë probleme të brendshme, deklarata ime ishte precize dhe e qartë. Kam folur për atë se duhet të shmangim politikën e konfliktit të ngrirë dhe se një konflikt i ngrirë në të ardhmen do të mund të sjell përplasje të armatosura, gjë që nuk e dëshiron askush.”

Një ditë më parë, Vuçiç deklaroi se zgjidhja më e mirë e mundshme për konfliktin Kosovë-Serbi është përmes dialogut, pasi në të kundërt, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorno-Karabakut. Menjëherë pas deklaratës, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani i kërkoi Bashkimit Evropian dhe NATO-s të reagojë ndaj “kërcënimit” të Vuçiçit për “luftë të dhunshme”. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se deklarimet e presidentit të Serbisë nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Shpërndaje te miqtë