Vokshi akuzon Ramën: Me ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor rrezikon integrimin europian

exit.al 2 Tetor 2020, 22:54

Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi akuzoi kryeministrin Ramën dhe shumicën socialiste se po shkelin marrëveshjen e 5 qershorit, duke rrezikuar dhe integrimin e vendit në BE. Ftuar në emisionin ‘Pa protokoll’ në Report Tv, Zonja Vokshi tha se votimi i sotëm i propozimeve të PS-së në Komisionin e Ligjeve ‘është shkelje flagrante e marrëveshjes së 5 qershorit’. Ish-deputetja sqaroi se reforma zgjedhore e gjithëanshme është një ndër kushtet kryesore që vendi duhet të plotësonte para zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare:

'Votimi i sotëm e çon shumë hapa pas Shqipërinë në rrugën e integrimit europian. Shqipëria është në pritje të datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në.

Kushti i parë që duhet të plotësojë Shqipëria është reforma zgjedhore, gjithëpërfshirëse, sipas marrëveshjes së 5 qershorit. [Ndryshimet e Kodit Zgjedhor] janë miratime të njëanshme, nuk janë as me konsensus dhe as gjithëpërfshirëse.'

Vokshi theksoi se me votimin e njëanshëm dhe pa konsensus të këtyrë ndryshimeve, Rama dhe shumica socialiste zhgënjyen qytetarët dhe ndërkombëtarët. Komisioni i Ligjeve miratoi të premten propozimin e PS-së për ndryshimet e reformës zgjedhore. Ndryshimet e miratuara në Komision janë vendosja e koalicioneve parazgjedhore me një listë të vetme, pragun kombëtar 1%, kandidimi i krytarëve të partive deri në 4 zona zgjedhore dhe caktimi i deputetëve me lista të mbyllura, të caktuar nga kryetari i partisë. Komisioni hodhi poshtë propozimin e opozitës parlamentare për zgjedhjen e deputetëve nga qytetarët. Ndërsa nuk mori në shqyrtim propozimin e PD-së për hapjen e listave 100%, me renditje sopas rendit alfabetik. Drafti i miratuar tek ligjet do të shqyrtohet në kuvend më 5 tetor. Shpërndaje te miqtë