Veliaj pastron menjëherë Tiranën pas protestës për vrasjen e Klodian Rashës

exit.al 11 Dhjetor 2020, 22:24

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është siguruar që mëngjesin e së shtunës, Tirana të mos ketë asnjë shenjë të protestës që u zhvillua mbrëmjen e sotme për vrasjen e Klodian Rashës.

Ende pa u mbyllur protesta, kryebashkiaku ka nxjerrë në punë punonjësit e ndërmarrjeve të pastrimit për të pastruar rrugët ku u përballën protestuesit me policët.

Në shenjë revolte për vrasjen e Klodian Rashës nga policia, protestuesit dogjën dhe përmbysën disa kazanë mbeturinash.

Policia i shpërndau ata me gaz lotsjellës, spraj djegës dhe ujë me presion.

Vrasja e 25-vjeçarit  Klodian Rasha nga policia ngjalli zemërim dhe protesta në disa qytete të vendit.

Të enjten ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen por protestat nuk u ndalën.

Protestuesit tani kërkojnë edhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu por kryeministri Rama ka deklaruar se kjo nuk do të ndodhë.