Rama refuzon kategorikisht dorëheqjen dhe përpiqet të zbusë zemërimin popullor me masa fiskale

Bledar Zaganjori 28 Tetor 2026, 16:29

Rama refuzon kategorikisht dorëheqjen dhe përpiqet të zbusë

Edi Rama e shndërroi prezantimin e projektbuxhetit dhe reflektimin ndaj protestave në një fjalim me nuanca të forta populiste për të zbutur sadopak zemërimin publik ndaj tij me propagandimin e masave me karakter social.

I vetëdijshëm se mënyra se si ka qeverisur ka krijuar imazhin e një lideri që është kujdesur më shumë për interesin e pakicës së pasur mbi pjesën tjetër të shqiptarëve, Rama u përpoq t’i paraqiste masat si reflektim ndaj protestave.

Njëkohësisht ai refuzoi të diskutonte çdo kërkesë dorëheqjeje, duke folur për dialog por me kushtin e panegociueshëm të mospërmendjes së largimit të tij.

Sikundër ka bërë edhe më parë, ai i ndau protestuesit në dy palë: ata që dhunojnë dhe që janë pakicë dhe ata që duan dialog, por që tremben nga dhuna e shokëve të tyre dhe që janë shumicë e heshtur.

Protestuesit si “turmë”, jo si qytetarë

Ai foli për protestat duke sulmuar protestuesit si “turmë dhunuesish urbanë dhe përndjekësish online”, “mish-mash” dhe iu rikthye etiketimeve që bënte gjatë revolucionit të flamingove për “sorra e korba” në bulevard.

Sipas tij, kjo turmë pretendon se është populli, por “nuk ka asnjë lidhje me popullin” dhe “nuk ka asnjë autorizim për të folur në emër të popullit”.

Duke u hequr protestuesve legjitimitetin e shumicës, Rama tha se kërkesa e tyre për dorëheqje është e papranueshme prej tij.

“Fatmirësisht, askush nga ne nuk është populli përveç vetë popullit”, tha ai, duke theksuar se mandati merret vetëm me votë dhe se ai do të qëndrojë deri në fund të tij.

“Ejani të ulemi ku të doni e kur të doni për ato që mendoni se ne duhet të bëjmë më shumë”, u tha ai studentëve.

Në këtë dialog mund të flitet për bursa, tarifa, strehim apo çmime, për çdo gjë tjetër përveç dorëheqjes së tij.

Mesazhi i Ramës ishte i qartë. Ai nuk largohet; nëse duan, mund të largohen studentët nga protestat.

Nuk dihet nëse ky mesazh do t’i dekurajojë protestuesit në ditët në vijim apo do të krijojë efektin e kundërt.

Fakti është se protestat ndaj qeverisë po vazhdojnë prej pesë muajsh, dhe në momentin kur janë dukur se janë shuar, ato janë rikthyer më agresive.

Masat fiskale si përgjigje ndaj zemërimit

Pjesa më e gjatë e fjalimit iu kushtua shifrave dhe masave të reja gjatë prezantimit të buxhetit të vitit të ardhshëm.

Rama tha se buxheti kalon për herë të parë 10 miliardë euro dhe se Prodhimi i Brendshëm Bruto ka arritur 30 miliardë euro.

Për të justifikuar arsyet e vendimeve të tij në këtë moment, kryeministri foli për një ekonomi që është rritur dhe që tani ia lejon mundësinë qeverisë së tij të marrë masa me karakter më social.

“Ekonomia shqiptare vazhdon të jetë ndër më dinamiket në rajon”, deklaroi ai.

Mbi këtë sfond, ai prezantoi një paketë masash që i cilësoi si ndihmë për “familjet e zakonshme”.

Ulja e TVSH-së për ushqimet bazë

Si një lajm të mirë ai lajmëroi uljen e TVSH-së për 54 produkte ushqimore bazë nga 20% në 6%.

Ulja përfshin ushqime si mishi, peshku, bulmeti, vezët, mielli, vaji, sheqeri, makaronat, frutat, perimet deri tek ushqimet për foshnja.

Ajo që mbetet për t’u parë në praktikë është nëse tregtarët do t’i ulin vërtet çmimet ose do të mbajnë diferencën për vete.

Heqja e taksës së qarkullimit

Një tjetër masë është ajo që qeverisë socialiste i është kërkuar prej vitesh, heqja e taksës së qarkullimit që aplikohet në zinxhirin e taksave te tregtarët e karburanteve.

Sipas Ramës, heqja e taksës duhet të ulë menjëherë çmimin në pompë me rreth 32 lekë për litër.

Por taksa nuk zhduket. Ajo transferohet te pagesat e shqiptarëve te taksat për makinat.

Rritje e pragut të tatimit mbi pagën

Rama tha se pragu i sipërm do të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Kjo, sipas kryeministrit, do të thotë se më shumë njerëz të shtresës së mesme do të paguajnë më pak tatim mbi pagën.

Për pagat shumë të larta (mbi 700 mijë lekë), norma e tatimit do të shkojë në 30%.

Në fakt, tatimi mbi pagën është kryesisht kosto e punëdhënësve dhe kjo nuk do të thotë që pagat do të rriten apo që shqiptarët të lehtësohen nga taksimi.

Më shumë nga kjo masë përfitojnë bizneset që për pagat e larta do të paguajnë më pak taksa, ndërsa tw punësuarve paga mund të mos u lëvizë me rritje.

Përkundrazi, ajo që Rama e quan shtresë e mesme janë kryesisht profesionistët e lirë, të cilët në sistemin tatimor shqiptar përfshihen tek bizneset e vogla.

Qeveria në paketën e re fiskale ka vendosur që për këtë kategori të ulë pragun e TVSH-së nga 10 milionë lekë xhiro në 5 milionë lekë.Kjo masë i vendos ata praktikisht në një taksim të njëjtë si bizneset e mëdha. 

Nëse gjatë një viti ata realizojnë të ardhura më shumë se 5 milionë lekë, u duhet të paguajnë si TVSH dhe tatim mbi fitimin e një biznesi të madh.

Super-taksa për apartamente bosh, vila në bregdet dhe makina luksoze

Qeveria planifikon të taksojë fort apartamentet që blihen e mbahen bosh dhe që nuk jepen me qira. Me këtë masë, kryeministri tha se shpreson të ndikojë në uljen e qirave, sidomos në kryeqytet, ku ato kanë kapur majat dhe janë bërë të papërballueshme si për të rinjtë ashtu edhe për shtresa të tjera të popullsisë.

Rama lajmëroi taksim edhe për vilat në bregdet, tarifa të larta për ujin e pishinave apo makinat e luksit.

Ideja e Ramës ishte që kjo levizje të ngjajë në publik si masë që qeveria po merr për të ngushtuar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.

Thellimi i këtij hendeku ndër vite ka sjellë edhe zemërimin e shtresave të gjera të shqiptarëve ndaj qeverisjes dhe protestat që kanë lëkundur këmbët e karriges së kryeministrit.

Rritje e tatimit mbi dividentin e biznesit të madh

Rama tha se qeveria nuk do të prekë tatimin mbi fitimin e bizneseve. Në një draft të shpërndarë po nga qeveria dy ditë më parë, tatimi mbi fitimin rritej nga 15 në 17 përqind.

Reagimi i shoqatave të biznesit duket se e ka detyruar Ramën të bëjë hap pas, duke ruajtur normën e tatimit të pandryshuar.

Por ai ka vendosur që të prekë tatimin mbi dividentin.

Dividenti është fitimi që biznesmenët tërheqin nga kompanitë e tyre. Sot ai me vendim po tw Ramws taksohet me 8%. Por Rama tha se do të rritet në 15%. Kjo masë prek bizneset e mëdha në Shqipëri.

Qëllimi, sipas Ramës, është që të pasurit të kontribuojnë më shumë për ekonominë dhe për rishpërndarjen më të drejtë të të ardhurave.

“Nganjëherë shteti vonon, por asnjëherë shteti nuk harron,” u shpreh Rama.

Në thelb, fjalimi tregon një kryeministër që përpiqet të blejë kohë dhe të ulë tensionin përmes masave fiskale, më shumë se sa një përgjigje ndaj pabarazisë së thellë.

Në tehun e hollë mbi të cilin është detyruar të ecë për të mbajtur pushtetin, ai po mundohet të gjejë një ekuilibër të ri mes atyre që ka përkrahur deri dje dhe atyre që ka injoruar deri sot.

Shpërndaje te miqtë