Ambasadori gjerman, thirrje palëve të heqin dorë nga dhuna

exit.al 11 Dhjetor 2020, 19:25

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, apelon për ndalje të dhunës në protesta.

Ai shprehet i prekur nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe kërkon që kjo ngjarje të zbardhet.

Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës.”, thotë Zingraf.

Megjithatë kreu i diplomacisë gjermane në Tiranë thekson se vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike

Por ajo çka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është – dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci. Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna”, shkruhet në reagimin e ambasadorit.

Thirrje për tu distancuar nga dhuna kanë bërë më herët edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe ai i BE, Luigi Soreca.