Teatri Kombëtar nën mbrojtjen e Europa Nostras, shpallet sit i rrezikuar

exit.al 24 Mars 2020, 13:08

Teatri Kombëtar është zyrtarisht pjesë e listës së Federatës Pan-Evropiane për Trashëgiminë Kulturore Europa Nostra si një nga 7 sitet kulturore më të rrezikuara të Europës. Lajmin e bëri sot publik Europa Nostra me anë të një njoftimi për shtyp. Me përzgjedhjen e Teatrit Kombëtar në listën e 7 siteve më të rrezikuara, Europa Nostra do të përdorë të gjithë rrjetin e saj për të sugjeruar mundësi për mbrojtjen e tij, përmes projekteve restauruese. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila prej 2 vitesh është angazhuar për mbrojtjen e teatrit nga shkatërrimi i planifikuar nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj, e quan vendimin e Europa Nostrës një “një fitore të rëndësishme”:

“Ky titull vërteton se Teatri Kombëtar njihet ndërkombëtarisht si një sit i trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, por edhe Evropës.

Titulli tashmë i hap rrugë përpjekjes për të restauruar godinën, ku Europa Nostra luan një rol thelbësor për të lobuar për projektin dhe fondet e nevojitura.

Kjo arritje nuk do ishte e mundur pa mbështetjen e qindra e mijëra qytetarëve gjatë këtyre dy viteve betejë të vazhdueshme.

Lufta për ruajtjen e Teatrit Kombëtar vazhdon, por sot u fitua një betejë e rëndësishme!”

Europa Nostra është organizata më e madhe me shtrirje në hapësirën mbarë evropiane që merret me ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo funksionon si një federatë me pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe ka status këshillimor për UNESCO-n dhe Bashkimin Evropian. Për herë të parë, një grup nga Europa Nostra vizitoi Teatrin Kombëtar dhe protestën për mbrojtjen e tij në gusht 2018. Asokohe, Presideni i organizatës publikoi edhe një letër drejtuar autoriteteve më të larta të vendit ku i kërkontë të tërhiqeshin nga përpjekjet e tyre për shembjen e godinës. Kryeministri Rama dhe Kryetari i Bashkisë Veliaj refuzuan t’i përgjigjeshin letrës por vazhduan të deklaronin se Teatri Kombëtar nuk kishte asnjë vlerë historike. Në gusht 2019, Alenca për Mbrojtjen e Teatrit filloi aplikoi zyrtarisht për përfshirjen e Teatrit Kombëtar në programin e “7 Siteve më të Rrezikuara”. Në aplikim, vlerat historike dhe kulturore të kompleksit përmenden si një arsyet kryesore për të cilën godinat duhen ruajtur dhe restauruar.