Vendoset sot hapja e negociatave me Shqipërinë, ministrat e BE-së video-konferencë për të arritur kompromisin

exit.al 24 Mars 2020, 11:54

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së do të mbajnë sot një takim me video-konferencë për të arritur një dakordësi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Lajmin e konfirmon Financial Times.

Një zyrtar i BE-së u shpreh për FT se “ky vendim tregon se BE e ka ende në fokus procesin e zgjerimit” pavarësisht krizës së koronavirus.

Me shumë gjasa, sipas një draft-vendimi përgatitur nga Presidenca e BE-së dhe që Exit News e ka parë, Bashkimi Europian do të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas draftit, Franca dhe Holanda, dy shtetet që kanë kundërshtuar më fort hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, duket se kanë zbutur qëndrimin e tyre.

Greqia po ashtu, ka qenë një prej vendeve që nuk ka qenë dakord me vendimin për hapjen e negociatave, por burime diplomatike thanë se Athina ka dhënë miratimin e saj pasi drafti i fundit kishte një gjuhë më të fortë për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Shqipëri.

Nëse asnjë vend nuk kundërshton, vendimi pritet të miratohet zyrtarisht në mes të javës. Vendimi duhet të jetë unanim, pra të mbështetet nga të 27 vendet e BE-së.

Ky do të jetë një sinjal pozitiv për 2 vendet të cilat prej disa vitesh nuk marrin votat e vendeve të BE-së për hapjen e negociatave.

Këtë javë ishte parashikuar të mbahej dhe samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor i  BE-së drejtuar nga Kroacia. Nuk dihet ende nëse samiti do të zhvillohet online apo do të shtyhet për në një moment të dytë.