Të infektuar me Covid-19, por jo viktima të tij – si qëndron e vërteta e 4 pacientëve nga Shkodra

exit.al 15 Prill 2020, 18:52

Një 82 vjeçar nga Shkodra vdiq të mërkurën në Spitalin Shefqet Ndroqi. Mediat raportuan se ai ishte viktimë e Covid-19, por Ministria e Shëndetësisë e hodhi poshtë duke theksuar se vdekja iu shkaktua nga sëmundje të tjera.

I moshuari ishte sjellë në Tiranë ditët e fundit dhe vuante nga sëmundje të veshkave dhe mushkërive.

Në testin për Covid-19 kishte rezultuar pozitiv, por pavarësisht kësaj, vdekja e tij nuk i shtohet numrit të përgjithshëm të viktimave nga koronavirusi në Shqipëri.

Përmes një komunikimi me mediat, Ministria e Shëndetësisë theksoi se 82-vjeçari vdiq nga tromboza në mushkëri dhe veshka.

Megjithëse i infektuar me Covid-19, Ministria u shpreh se ai nuk kishte shfaqur shenja të sëmundjes – ishte asimptomatik – e për rrjedhojë nuk cilësohet viktimë e epidemisë.

Kështu autoritetet shëndetësore arsyetojnë se që vdekja e një pacienti të cilësohet viktimë e virusit duhet që infeksioni i Covid-19 të ketë shfaqur simptoma.

Kështu deri më sot janë 4 raste, të cilat kanë të përbashkët faktin se ishin të infektuar, por që vdekja nuk iu erdhi nga virusi:

  • 10 prill, një 85-vjeçar vdiq nga infarkti
  • 13 prill, një 59-vjeçar vdiq nga hemorragjia në tru
  • 14 prill, një 62-vjeçare vdiq nga kanceri dhe sëmundja e pankreasit
  • 15 prill, 82-vjeçari që vdiq nga tromboza në mushkëri dhe veshka

Prej 8 marsit, kur u diagnostikua i infektuari i parë me koronavirus, autoritetet kanë testuar 4 558 persona – 494 të infektuar, 251 të shëruar, 25 viktima.