Mbi 2 milionë njerëz të infektuar me Covid-19 në botë

exit.al 15 Prill 2020, 16:40

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në botë i kaloi të mërkurën 2 milionë vetë.

Katër muaj pasi u konstatua në Wuhan të Kinës, infeksioni i kthyer tashmë në pandemi, ka vrarë mbi 128 mijë persona.

Rreth 25 për qind e të infektuarve janë shëruar, ndërsa 6.3 për qind kanë vdekur.

Në fakt vdekshmëria është e luhatshme. Në shtete të ndryshme si Italia (12.9), Britania e Madhe (12.7), Franca (10.9) dhe Spanja i kalon 10 për qindshin.

Kina, vendi nga ku buroi virusi, prej rreth 3 javësh nuk raporton rritje të të infektuarve – rastet sporadike lidhen me të kthyerit nga jashtë shtetit.

Vdekshmëria nga Covid-19 në Kinë mbetet 4 për qind – 3 200 të vdekur nga mbi 83 mijë të infektuar.

Në rang botëror Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë numrin më të lartë të të infektuarve dhe të vdekurve – mbi 600 mijë të infektuar dhe mbi 26 mijë viktima.

Italia është shteti i dytë në botë me mbi 21 mijë viktima, ndërsa 3 shtete të tjera të Evropës, Britania, Franca dhe Spanja kanë mbi 12 mijë viktima secila.