Takimi BE-Rusi nuk do të mbahet

exit.al 25 Qershor 2021, 09:15

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk miratuan propozimin e Francës dhe Gjermanisë për të mbajtur një samit me Presidentin Rus Vladimir Putin, raporton Euroactive. Polonia dhe vendet Balltike thanë se ky takim do të dërgonte mesazhin e gabuar ndërsa marrëdhëniet Lindje-Perëndim përkeqësohen.

Pas bisedimeve në takimin e udhëheqesve evropian në Bruksel, ata nuk arritën një marrëveshje, tha kancelarja gjermane Angela Merkel të premten, më 25 qershor.

"Ishte një diskutim shumë gjithëpërfshirës dhe jo i lehtë," u tha ajo gazetarëve. "Nuk u arrit marrëveshja për një takim me Putin," tha ajo.

Takimet e nivelit të lartë të BE-së me Rusinë përfunduan pasi Moska aneksoi gadishullin e Krimesë në Ukrainë, në mars 2014 dhe perëndimi vendosi sanksione.

I vetmi që mbështeti këtë propozim ishte Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz,  ndërsa shumë udhëheqës të tjerë ishin kundër. Kurz ishte i vetmi kryeministër i një vendi të BE-së që drejtoi forumin e fundit ekonomik të Shën Petërsburgut.