Shqipëria viktimë e përdorimit nga politika e brendëshme britanike

exit.al 23 Prill 2016, 17:43

Ministri i Drejtësisë i Britanisë, konservatori Michael Gove, është mbështetës i zjarrtë i daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE, njohur si Brexit. Për të qetësuar frikën se dalja do të dëmtojë eksportet e Mbretërisë së Bashkuar në BE, ai sugjeroi, para pak ditësh, se tregtia e Britanisë do të lulëzojë sikurse e ka treguar modeli i marrëdhënieve tregtare të Shqipërisë dhe Ukrainës me BE-në.

Ky lloj paralelizmi i Zotit Grove shkaktoi debat në Britani, duke qenë se mbështetësit e qëndrimit në BE po e përdorin këtë krahasim, të nxjerrë jashtë konteksti, për ta bërë Shqipërinë simbol të talljes për fatin që e pret Britaninë nëse del nga BE: do të shkëputet nga klubi i vendeve më të forta të Europës për t'ju bashkangjitur vendeve të prapambetura si Shqipëria.

Thelbi i përdorimit të Shqipërisë si "gogol" për te trembur qytetarët britanikë të votojnë kundër, përmblidhet shumë mirë në fjalët e ish-komisionerit për tregtinë të BE-së Karel De Gucht i cili u shpreh se çdo krahasim i Britanisë me Shqipërinë është “një gjë e pakutimtë dhe qesharake. Shqipëria është një vend i varfër, një ekonomi e vogël, e pa zhvilluar. Është njësoj si të krahasosh një arrë me një shalqi të madh.”

Përtej deklaratave mediatike, ditët e fundit ka filluar një fushatë vizive kundër daljes duke përdorur Shqipërinë, siç duket në fotografinë e këtij shkrimi. Media te tjera publikojnë foto që tregojnë prapambetjen e Shqipërisë si keto më poshtë publikuar nga Daily Mail online, një ndër publikimet kryesore botërore online.

Ian Birrell in Albania for Brexit story Picture: Erion Mecaj/Demotix

337AA2C300000578-3555770-image-a-18_1461455350134

Është për të ardhur keq që Shqipëria po përdoret mes politikanëve europianë si një shembull i keq se si nuk duhet bërë gjërat.

Disa javë më parë, ish-ministrja e kulturës franceze, deputetja Filipetti e përdori Shqipërinë si shembull i mungesës së demokracisë dhe zgjedhjeve të pandershme, edhe pse ajo ju referua periudhës së diktaturës komuniste.

Disa muaj më parë ishte një tjetër politikan lideri laburist Jeremy Corbyn, i cili përdori një thënie të Enver Hoxhës në një  fjalim, gjë që ngjalli shumë polemika në median britanike.

Shpërndaje te miqtë