Soreca njofton projekte të reja mbështetëse për drejtësinë pas përfundimit të EURALIUS V

exit.al 14 Korrik 2021, 20:00

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ka njoftuar projekte të reja mbështetjeje për institucionet e drejtësisë pas përfundimit të mandatit të EURALIUS V.

Gjatë Komitetit të 7-të Drejtues të Palëve të Interesuara në EURALIUS V, Soreca tha se Reforma në Drejtësi mbetet një nga përparësitë kryesore për BE-në Shqipëri.

EURALIUS është projekti i BE në Shqipëri për të dhënë asistencë teknike gjatë implementimit të Reformës në Drejtësi. Mandati i tij përfundon në dhjetor të 2021.

Ambasadori Soreca u shpreh se mbështetja e BE do të vijojë përmes projekteve të reja të mbështetjes sipas nevojave.

Ai nënvizoi se deri në fund të vitit 2022, BE do të financojë:

  • një projekt kushtuar mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë në rolin e saj koordinues dhe raportues,
  • vazhdimin e mbështetjes për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë,
  • një ekip që ndihmon Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshëm dhe SPAK,
  • një program për Shkollën e Magjistraturës.

Buxheti total i projekteve të reja është 9 milionë euro, sipas zyrës së BE në Shqipëri.