Skena e Lindjes në Tiranë

exit.al 25 Dhjetor 2015, 15:16

Siç është zakoni në ditën e Krishtlindjes, redaksia e Exit mendoi të rindërtonte Skenën e Lindjes me personazhe nga skena politike shqiptare, por shpejt vendosëm të heqim dorë. E filluam mirë por pastaj ngecëm. Për të zëvendësuar kaun dhe gomarin nuk qe e vështirë dhe i gjetëm shpejt; për tre Mbretërit dijetarë qe gjithashtu e thjeshtë - Koço në variantin 3K; për barinjtë dhe delet menduam që nuk kishte nevojë të ndryshonim gjë; Kometa tashmë i është ngjitur fasadës së Kryeministrisë, e cila mund të përdorej në vend të Shpellës së shenjtë. Por problemin e patëm me engjëjt, Shën Jozefin, Zonjën e Bekuar dhe sidomos Fëmijën. Pasi u menduam pak për engjëjt e gjetëm zgjidhjen – vendosëm të vinim Lindën me shoqet e saj gazetare dhe të bënim sikur nuk kishte ndodhur gjë. Një moment thamë të vendosnim Ilirin dhe Monikën në vend të Jozefit dhe Marisë, por nuk na u duk mirë. pastaj menduma për Topallin, por nuk gjetëm me kë ta vinim. Por, vështirësinë kryesore e patëm më Fëmijën, Perëndinë e bërë njeri, Shpëtimtarin e Njeriut, Birin e Perëndisë… Nuk na vinte askush në mëndje për ta vendosur në djep. Menduam për një çast Lulin, por duhej dikush që qante e jo që qeshte gjithë kohës. Kur ishim gati të dorëzoheshim e ta linim këtë punë, na u afrua një sigurims që na dorëzoi një dekret qeveritar, të pabotuar në faqen e Kryeministrisë, që detyron çdo shqiptar të zbatojë planin rregullues shtetëror për çdo skenë lindjeje, projektuar nga Atelier 4, në bashkëpunim me Anri Salën, të përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare:

Artanët (Lame e Shkreli) në vendin e Engjëjve;

Berisha në vendin e Jozefit;

Iliri në vendin e Virgjëreshës Mari;

Djepi t'i jepet me konçension Vilmës, e cila të vendosë kë të dojë brenda për 20 vitet e ardhshme.

Dekreti mbyllej me Zbulesën se përmbajtja i ishte pëshpëritur Atij nga Papa Françesku atë ditë në aeroport.