Si u përhap Covid-19 në 24 orë: 5 të infektuar të tjerë në fasonerinë në Krujë

exit.al 18 Prill 2020, 11:48

9 të infektuar të rinj me Covid-19 u zbuluan në 24 orët e fundit, duke shënuar rënie krahasuar me ditët e fundit.

Të infektuarit e rinj janë:

  • 5 të infektuar në Kurbin, duke e çuar totalin në 7,
  • 1 të infektuar në Tiranë, duke e çuar totalin në 246,
  • 2 të infektuar në Kukës, duke e çuar totalin në 11,
  • 1 të infektuar në Fier, duke e çuar totalin në 36.

Kurbin

5 të infektuarat e reja në Laç të Kurbinit, janë punonjëse në një fasoneri në Krujë, ku janë infektuar dhe të tjerë punonjëse.

Gratë janë banore në zonat e Fushë-Milotit, Fushë-Mamurrasit dhe Malit të Bardhë.

Edhe 2 rastet e para në Kurbin dhe 4 persona të tjerë në Krujë, janë infektuar nga kjo fasoneri, duke e çuar totalin në 11.

Fasoneria ka vazhduar punën si normalisht gjatë gjithë këtyre javëve dhe është mbyllur vetëm mëngjesin e 17 prillit, kur u zbuluan punonjëset e para të infektuara.

Kukës

Të infektuarit e rinj janë familjarë të infermieres, e cila u identifikua si e infetkuar dy ditë më pare. Ajo është infektuar nga kolegu i saj në spitalin rajonal të Kukësit.

Dy familjarët e saj janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të izoluar në shtëpi.

Prej 11 të infektuarve në Kukës, 5 janë personel të spitalit rajonal.

Fier

I infektuari i ri është i afërm i 3 pacientëve të mëparshëm, babai dhe dy djemtë, banues në lagjen “Afrimi i Ri”.